E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fillon manifestimi “Flaka e Janarit”

Me Akademinë kushtuar figurave të lavdishme të kombit tonë, Rexhep Malës, Nuhi Berishës, Kadri Zekës, Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe të një numri të madh të heronjve dhe martirëve që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, si dhe me ekspozitën mbarëkombëtare “Peneli i Flakës XIX”, manifestimi kulturore tradicional “Flaka e Janarit 2010”, i nëntëmbëdhjeti me radhë, ka hyrë në pjesën e saj qendrore.

Referuesit në akademinë e “Flakës...”, thanë se dëshmorët e kombit ndezën flakën e pashuar të janarëve shqiptarë dhe se tani ky manifestim në nderë të tyre, nuk i takon vetëm Gjilanit dhe Anamoravës, por është e të gjithë shqiptarëve, kudo që ata jetojnë e punojnë.

Referuesi dr. Agim VInca, duke pohoi se manifestimi “Flaka e Janarit”, është ndër manifestimet më jetëgjata në Kosovë, edhe për nga përmbajtja dhe niveli.

“Flaka e janarit është homazh për ata që ranë për lirinë tonë, për ata që na ka në shti në borxh, siç do të thoshte poeti gjilanas Rexhep Elmazi”, ka thënë Vinca

Ai tha se nuk mund të flitet për “Flakën e Janarit” si manifestim kulturor, pa kujtuar me respekt ata që në ngricën e kohës ndezën flakën e dashurisë për tokën që i lindi dhe për popullin që i rriti, si Jusufin, Kadriun, Bardhoshin, Rexhepin e Nuhiun me shokë dhe të gjithë ata që me jetën dhe veprën e tyre fituan pavdekësinë.

Duke e kujtuar rënien e vëllezërve Gërvalla dhe të Kadri Zekës në janar të vitit 1982, por më vonë edhe të Rexhepit e Nuhiut e të tjerëve, referuesi Vinca tha se ata mbyllen kapitullin e jetës së tyre, por duke hapur një kapitull të ri në luftën për çlirimin Kosovës dhe të viseve tjera të robëruara shqiptare, për të mbetur përgjithmonë fanar i lirisë dhe i krenarisë sonë.

Duke folur për rëndësinë e këtij manifestimi tani në Kosovën e Pavarur, Agim Vinca tha se “Flaka e Janarit” tani më ka fizionominë e saj të ndërtuar në këto 19 vite dhe po nxit krijimtarinë në shumë fusha të kulturës duke u bërë mishërim i shëmbëlltyrës të dëshmorëve, që ishin njerëz jo vetëm me vetëdije të lartë kombëtare e politike, por edhe me prirje të theksuara krijuese.

Ndërsa, kreu komunal i Gjilanit Qemajl Mustafa tha se tani më kjo ndodhi kulturore gjithëkombëtare u kushtohet të gjithë heronjve e dëshmorëve të kombit të krejt hapësirës shqiptare, sikur që edhe “Flaka e Janarit” nuk është më vetëm e Gjilanit dhe Anamoravës, po është e të gjithë shqiptarëve kudo që ata jetojnë e punojnë.

“Për tërë hapësirën shqiptare, por veçanërisht për ne në Gjilan kjo orë dhe i gjithë manifestimi i “Flakës ...” janë sinonim i orëve dhe ditëve obliguese të takimit të të gjithë neve, i orëve dhe ditëve të rikujtimit dhe mësimit për veprën e madhe të dëshmorëve dhe rolin aq pozitiv e frymëzues që pati kjo vepër e tyre deri në çlirimin e vendit, dhe që vazhdon përherë ta ketë në mbajtjen e qëndresës dhe moralit drejt ndërtimit dhe forcimit të shtetit të Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Ai tha se rrita e "Flakës së Janarit" secilin vit të ardhshëm është vetëm njëra nga dëshmitë se dëshmorët dhe ideja e tyre janë këtu në mesin tonë dhe ata me sy e veshë e me vigjilencë e përcjellin përkushtimin tonë, i përcjellin teket tona, e përcjellin përherë zhvillimin tonë.

“Liria dhe sidomos pavarësia e Kosovës, që i dha një shkallë të dukshme lirie e pavarësie edhe vet Shqipërisë, shqiptarëve të Maqedonisë, Luginës së Preshevës, e Malit të Zi, nuk është gjë tjetër përveçse rezultat i luftës sonë të përhershme e gjithnjë në rritje bazuar e frymëzuar në idealet e atyre që patën guximin të jenë pishtarët e sakrificës sublime, për këtë të drejtë universale të qenies njerëzore”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa, deputeti Hydajet Hyseni ka folur për veprën dhe veprimtarinë e dëshmorëve të kombit, duke vënë në spikamë kontributin e tyre, deri në sakrificë e flijim për lirinë e vendit, ndërkohë që në kuadër të akademisë është mbajtur edhe koncerti i muzikës korale dhe kamertale nga shkolla e mesme e muzikës, nën përkujdesjen artistike të Adhurim Rasimit.

(Kosovapress)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›