Kandidatja e PD në Durrës, Edlira Harizi: Prioritet, fuqizimi i sistemit shëndetësor publik

Kandidatja e PD-së në qarkun e Durrësit, Edlira Harizi e ftuar në studion e RTSH 24 ka deklaruar se fuqizimi i sistemit shëndetësor publik është një prej prioriteteve më të mëdha jo vetëm të forcës politike të cilës i është bashkuar për të kandiduar në zgjedhjet e 11 majit, por edhe të saj personale.
Harzi shtoi se mbështetje për pensionistët, fuqizimi i familjes, ndihma ndaj arsimimit profesional të të rinjve, ndihma ndaj grave në nevojë dhe fuqizimi i tyre, janë të tjera prioritete të saj nëse arrin të marrë votat e duhura për t’u bërë deputete e PD-së në Durrës.
Harizi thekson se të jesh pjesë e Partisë Demokratike, është si të pozicionohesh në anën e zgjidhjes së problematikave dhe kundër padrejtësive.
“Të jesh pjesë e PD është të jesh pjesë e atyre që nuk kanë pushtet por kanë të drejtën dhe revoltën për padrejtësitë që janë bërë në të drejtat e tyre.
Duke e parë PD jo thjesht si parti, slogan e sigël, por platformë për zgjidhjen e problemeve e padrejtësive. Prandaj jam pjesë e saj që të jem pjesë e zgjidhjes së problemeve të qytetarëve.
Fuqizimi i sistemit shëndetësor publik, një prej prioriteteve të mia. Mbështetje për moshën e tretë, për fuqizimin e familjes, për ndihmën e dhënë ndaj arsimimit profesional të të rinjve, mbështetja për fuqizimin e gruas, kryesisht ndaj grave në nevojë”, deklaroi Harizi.
/rtsh.al/