E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dekretet e Presidentit, juristët e vjetër dhe politikanët e rinj të PS-së

25-03-2013 / Nga Artur Bego

Pak ditë pas takimeve që zhvilloi me përfaqësuesit e partive politike parlamentare, Presidenti i Republikës shpalli edhe dekretet për disa anëtarë të rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Konsultimet me partitë politike për disa vendimmarrje të rëndësishme, kanë dëshmuar aq sa angazhimin personal dhe institucional të Presidentit Bujar Nishani, po aq edhe modestinë e Tij për të frymëzuar ngritjen dhe lartësimin e konsensusit politiko-institucional mbi ato baza ku ai është verifikuar më parë, siç edhe është përbërja e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Ndaj edhe emrat e dekretuar mund dhe duhet të analizohen pikërisht si produkt i këtij angazhimi.
E ndërsa ky vullnet e angazhim i Presidentit të Republikës është lehtësisht i verifikueshëm, madje edhe nga publiku i gjerë, ditë para vendimmarrjes së Presidentit Bujar Nishani, u verifikua edhe një “pritë” me leksik juridik, por sintaksë politike.
Politikani i ri dhe juristi i vjetër Theodhori Sollaku, ka artikuluar publikisht një akuzë drejtuar Presidentit të Republikës.
Akuza, është më e rënda që mund t’i bëhet Presidentit të vendit.
Veprime antikushtetuese… Kjo për shkak të nisjes së procedurës nga ana e Presidentit të Republikës për dekretimin e anëtarëve të rinj në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese.
Por ky veprim i Presidentit është as më pak e as më shumë një ushtrim i kompetencave kushtetuese të tij.
Kushtetuta e vendit në nenet  93, 125 pika 1, 136 pika 1 i përcakton qartë këto kompetenca.
Natyrisht, që këtë tagër kushtetues të Presidentit të Republikës, juristi i vjetër Theodhori Sollaku e njeh shumë mirë, por politikani i ri Theodhori Sollaku reflekton, mesa duket i rrëmbyer nga emocioni partizanist, pikërisht atë që duhet dënuar si fenomen, “ndërhyrjen e politikës”, në çështjet e drejtësisë dhe mbi institucionet kushtetuese.
Presidenti i Republikës akuzohet se ka ndërmarrë veprimet për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese pa u deklaruar nga kjo gjykatë vakancat.
Por në të vërtetë këto vakanca janë deklaruar nga kjo gjykatë dhe ka qenë pikërisht ky deklarim, i cili ka bërë që ish-Presidenti i vendit të dërgonte në Parlament tre dekrete të emërimit të gjyqtarëve të rinj.
Presidenti i vendit akuzohet se po vepron në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila sipas politikanit të ri Theodhori Sollaku ka deklaruar se tre mandatet e gjyqtarëve përfundojnë në 21 Maj 2013!!!
Gjykata Kushtetuese në Vendimin e saj nr. 41 datë 19. 07. 2012, lë në fuqi qëndrimin e Parlamentit  për plotësimin e vendeve në Gjykatën Kushtetuese, ku thuhet: “… deri në Prill të vitit 2013, kohë në të cilën duhet të zhvillohet përtëritja e radhës, për emërimin e anëtarëve të rinj”.
A thua që juristi i vjetër Theodhori Sollaku, të akuzojë Presidentin e Republikës për shkelje të Kushtetutës pa e lexuar fare Vendimin e Gjykatës…???!!!
Nëse është kështu atëherë politikani i ri Sollaku e ka nisur karrierën e tij politike nga një pozicion ekstremi partiak.
A është në kohën e përshtatshme Presidenti i Republikës për të nisur procesin e plotësimit të vakancave në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese?
Çdo jurist, i ri apo i vjetër e di fare mirë se ne rastin e plotësimit të këtyre vakancave kemi të bëjmë jo thjesht me një dekret, por me një proces. Këtë e kërkon Kushtetuta, këtë ka kërkuar Parlamenti, këtë ka qartësuar edhe Gjykata Kushtetuese.
Procedura e filluar tashmë nga Presidenti i Republikës për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën e Lartë, si dhe për plotësimin e vendeve vakant që krijohen nga përtëritja e radhës me anëtarë të rinj të Gjykatës Kushtetuese, jo vetëm që nuk është antikushtetuese, por përkundrazi garanton respektimin e Kushtetutës dhe siguron një funksionim normal, cilësor dhe koherent të kësaj Gjykate.
Çdo jurist, i ri apo i vjetër, ka njohuri të mjaftueshme të jetë i qartë se mandati  i gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese nuk fillon me dekretimin e emërimit të tij nga Presidenti i Republikës.
Procesi, kërkon që bazuar në kriteret ligjore dhe të performancës që duhet të plotësojë gjyqtari i Gjykatës së Lartë ose i asaj Kushtetuese, tashmë konsultuar dhe me përfaqësuesit e partive parlamentare, të përzgjidhet kandidatura dhe t’i përcillet Kuvendit për dhënie pëlqimi,  kjo në frymën e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 41, datë 19. 07. 2012.
Në këtë vendim thuhet qartë se emërimi i gjyqtarëve i pranuar nga Kushtetuta është kooperim institucional midis Kuvendit dhe Presidentit të Republikës, që do të thotë respektim i ndërsjellët nga secili subjekt i kompetencave të tjetrit. Pikërisht ky është dhe mekanizmi që duhet përdorur për të arritur deri tek emërimi i gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.
Pra nuk kishte asnjë pengesë ligjore për emërimin me dekret të gjyqtarëve nga Presidenti Republikës në fundin e muajit mars 2013, në mënyrë që pas shqyrtimit nga Parlamenti të dekreteve, të votimit të tyre, bërjen e betimit para Presidentit të Republikës, përtëritja e radhës të realizohet në prill të 2013. Ashtu siç e ka kërkuar Parlamenti dhe siç e ka pranuar Gjykata Kushtetuese.
Politikani i ri Theodhori Sollaku konkludon në veprimet e Presidentit të Republikës në konsideratën ,“…si një precedent i rrezikshëm në funksionimin e shtetit…”. Tashmë, kjo në fakt është dilema që duhet të zgjidhin qytetarët. “Precedent i rrezikshëm”, duhet konsideruar respektimi i Kushtetutës, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe zbatimi i Vendimit të Gjykatës Kushtetuese apo transformimi  “papritur” i ish-Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës në një militant partiak ?!!

Kushtetuta e Republikës

Neni 93
Presidenti i Republikës, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr dekrete.

Neni 125
1. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit.

Neni 136
1. Anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë

Vendimi Nr. 41, datë 19. 07. 2012
 
“Gjykata çmon se veprimi i Kuvendit për mosshqyrtimin e dekreteve deri në prill 2013, kohë në të cilën duhet të zhvillohet përtëritja e radhës, nuk ka pasur për qëllim pengimin e kompetencës së Presidentit për emërimin e anëtarëve të rinj të kësaj Gjykate, gjë të cilën ai e ka realizuar. Kuvendi, me anë të vendimit të tij nr. 106/2011, ka synuar rregullimin e një situate jo të zakonshme në përtëritjen e Gjykatës, gjë e cila peshon më shumë në këtë rast…”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›