Kandidatja presidenciale, kundër ligjit antinazist
Një kandidate e ekstremit të djathtë për postin e Presidencës austriake ka nxjerrë në sipërfaqe sërish të shkuarën e errët të vendit. Kandidatja ka denoncuar ndalimin e një ligji që pengon grupet naziste dhe ata që mohojnë Holokaustin. Barbara Rosenkranz, 51 vjeç, lidere rajonale e Partisë së Lirisë, duket se do të jetë kandidatja e vetme që do t’i kundërvihet Presidentit aktual austriak, Heinz Fischer, që do të rikandidojë sërish në zgjedhjet presidenciale të 25 prillit. Por komentet e saj në lidhje me ligjin kanë risjellë në dritë debatet në lidhje me një trashëgimi, me të cilën vendi, që ka qenë nën sundimin nazist që nga viti 1938 deri në vitin 1945, nuk i ka bërë kurrë hesapet në mënyrë definitive. Liderët austriakë dhe vetë shtypi vendas druajnë shumë në lidhje me imazhin e Austrisë në skenën ndërkombëtare. Në vitin 1947, ligji Verbotsgesetz penalizonte me burg të gjatë deri në 20 vjet të gjithë ata individë, apo grupe të cilët propagandonin ideologji naziste. Por Rosenkranz, mamaja e 10 fëmijëve dhe bashkëshortja e një figure të shquar të së djathtës ekstreme austriake, ngulmon që ligji të hiqet dhe në Austri njerëzit të lihen të lirë të shprehin idetë e tyre. Një qëndrim i tillë nga një grua që kërkon postin e Presidentes së vendit është kundërshtuar nga disa grupe austriake. Për sa i takon Presidencës austriake, ai ishte një institucion kryesisht simbolik dhe Presidenti aktual pritet që të fitojë edhe zgjedhjet e ardhshme për një mandat të dytë.
#