E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza politike në vendnumëro, Berisha-Meta fillojnë fushatën

Kryeministri: Dialog me qytetarët. Meta, takime me bazën e partisë

Pas dështimit të një kompromisi në tryezën e kreut të shtetit dhe siç duket në prag të një tjetër misioni të pamundur për të zgjidhur krizën politike brenda komisioneve parlamentare, partitë kanë dalë jashtë institucioneve. Teksa socialistët në opozitë kanë që prej shtatorit që ndodhen në rrugë, diçka e tillë po ndodh edhe me Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim. Të dyja kampet duket se po kërkojnë të rikonfirmojnë mbështetjen popullore përmes testimeve të opinionit publik pa pasur mundësi të zgjidhin gjithçka në tryezën e negociatave. Ndonëse më parë, i pyetur publikisht, Kryeministri ka mohuar kategorikisht mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, dje ai njoftoi zyrtarisht fillimin e asaj çka e konsideroi “një seri takimesh në mbarë Shqipërinë, të cilat nuk do të kenë të sosur”. “Këto takime dhe ky dialog me qytetarët shqiptarë kanë për qëllim kryesor paraqitjen e reformave të qeverisë para tyre, tërheqjen e mendimit dhe sugjerimeve të tyre, njohjen e qytetarëve shqiptarë me veprimtarinë intensive të mazhorancës, e cila kurrë, në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë, nuk ka qëndruar e ngujuar në kuti”, u shpreh Berisha.

Tjetër është kutia, tha ai, tjetër janë reformat, të cilat këta muaj kanë ecur më shpejt se kurrë, në çdo fushë. Sipas Berishës, është e domosdoshme të zhvillohet dialog dhe debat me qytetarët shqiptarë të të gjithë spektrit politik. “është e domosdoshme t’i njohim ata një për një me rezultatet konkrete, me përpjekjet për liberalizimin e vizave dhe suksesin e këtyre rezultateve”, nënvizoi Kryeministri në mbledhjen e grupit të demokratëve. Ajo çka ra në sy dje në fjalimin e tij kishte të bënte edhe me përdorimin e fjalës Exit Poll, që është terminologji e hasur kryesisht në prag zgjedhjesh. “Ju e dini që unë nuk i besoj Exit Poll-it, sepse e majta në traditën e saj më të keqe ka manipulimin e tyre. E ka mani, e ka sëmundje këtë. Unë dua t’u them se nga diseksioni që i është bërë njërit prej këtyre Poll-eve majtiste, i cili në vitin 2005 na nxirrte neve 14 pikë pas Partisë Socialiste, rezulton se korrupsioni në shëndetësi ishte përgjegjës kryesor për përqindjen e lartë që rezultonte”, tha Berisha. Ai sqaroi se një sondazh paraprak tregon se rënia është rreth 70 për qind, sepse për fat të keq parapagimi në shëndetësi ishte një nga praktikat më korruptive dhe kjo tani është asgjësuar.

“Siç janë vendosur këto praktika në rendin e vizitave, do të vendosen praktika të reja për procedurat dhe operacionet, në mënyrë që të zhduket parapagimi dhe ryshfeti në sistemin tonë shëndetësor”, u shpreh Berisha. Një tur të tillë, në formën e paradës së sukseseve, Kryeministri Berisha e kreu edhe pas anëtarësimit në NATO dhe në prag të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.
Dy ditë më parë, ishte zëvendëskryeministri Ilir Meta deklaroi nga qyteti i Lezhës, ku ndodhej për takim me elektoratin e LSI-së, se “zgjedhjet e ardhshme tashmë po trokasin dhe Lëvizja Socialist për Integrim duhet të përcaktojë edhe objektivat e saj për një fitore sa më të madhe në garën elektorale”. Disa nga objektivat tona paraprake për zgjedhjet e ardhshme vendore, tha ai, që tashmë po trokasin, kanë të bëjnë me të paktën fitoren e 100 kryetarëve të komunave në të gjithë vendin, të 20 kryetarëve të bashkive, të tre kryetarëve të qarqeve dhe të paktën të 1500 këshilltarëve në të gjitha nivelet, komuna, bashki dhe qarqe.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›