E Diel, 1 Nëntor 2026

Kandidaturat e Gjykatës së Lartë do të kalojnë provimin e meritës në Parlament

Debati për 5 emërimet e reja në Gjykatën e Lartë pritet të marrë fund shumë shpejt. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi dje se gjatë seancës plenare se dekretet e Presidentit për emërimet e reja në Gjykatën e Lartë do të fillojnë të shqyrtohen që sot në komisionin parlamentar të Ligjeve. Kryeparlamentarja, në përgjigje edhe të akuzave të herëpashershme të opozitës për këtë çështje, deklaroi në seancën plenare të pasdites së djeshme se “pas konsultimeve me konsitucionalistë dhe pavarësisht se më kanë akuzuar për shkelje të të drejtave të njeriut, sepse kërkova informacion për kandidaturat për në Gjykatën e Lartë, në fakt të gjithë kanë rënë dakord në thelbin e asaj që është vendimi i Gjykatës Kushtetuese”. “Sipas vendimit, është Kuvendi, i cili ka të drejtën për të shikuar në substancë dhe për të shqyrtuar dekretet. Është kuvendi që ka meritën e emërimit, pavarësisht mungesës së luajalitetit kushtetues të rastit. Besoj, se nesër do të mblidhet Komisioni i Ligjeve, pasi kryetari i tij, Fatos Beja është kthyer pas një shërbimi të gjatë. Sapo komisionet t'i shqyrtojnë dekretet në meritë, në substancë, sikurse thotë vendimi i Kushtetueses, ne do t'i votojmë në seancë plenare” - u shpreh Topalli. Ndërkaq dje Kuvendi miratoi me shumicë votash projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën “Për taksimin e automjeteve rrugore në transportin ndërkombëtar të udhëtarëve”. Sipas këtij ligji, kjo konventë ka për qëllim lehtësimin e qarkullimit të operatorëve të transportit ndërkombëtar të udhëtarëve, gjatë kryerjes së shërbimeve të transportit në territoret e palëve kontraktuese. Aderimi në këtë konventë, do t'i shërbejë zgjerimit të biznesit në tregun e transportit ndërkombëtar të udhëtarëve, nëpërmjet lehtësimit të procedurave në shërbimet e transportit. Në marrëveshje janë përcaktuar edhe përjashtimet e taksimit të mjeteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›