E Diel, 1 Nëntor 2026

400 hidrocentrale, oferta për investitorët e huaj që do sjellin në Shqipëri kapitale të reja

Në një periudhë afatmesme, Shqipëria, jo vetëm që do të zgjidhë përfundimisht problemet me furnizimin me energji elektrike por synon që të shndërrohet në një eksportuese kryesore të energjisë në rajon. Kjo është konfiormuar dje nga kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në Forumin Ekonomik të Vjenës, që çeli dje punimet në mjediset e Hotel Sheraton në Tiranë. Duke theksuar pasuritë e jashtëzakonshme ujore, kreu i qeverise tha se shumë kompani të mëdha evropiane kanë projekte për kaskadat në lumenjtë tanë. “Do të ndërtohen mbi 400 hidrocentrale me fuqi dhe përmasa të ndryshme. Është shumë e rëndësishme nëse ju do t’i shikoni këto” - iu drejtuar ai dhjetëra investitorëve të huaj të pranishëm në këtë eveniment. Ndër burimet e tjera Kryeministri përmendi sektorët minerarë, të naftës, energjisë diellore, etj, duke theksuar se “jemi një nga vendet më të pasura në botë me krom”. Shefi i ekzekutivit shqiptar u ndal edhe në energjitë e rinovueshme, sikurse janë energjia nga era dhe ajo bërthamore. “Jemi vendi me më shumë diell në rajon. Interesi për prodhimin e energjisë solare është duke u rritur në vendin tim. Shqipëria është e hapur ndaj burimeve të ndryshme të energjisë, duke përfshirë edhe ato nukleare, pra bërthamore” - tha kreu i qeverisë, duke nënvizuar
se "mbetet bindja ime e thellë se nuk duhet t’i përjashtojmë shqiptarët, por ata duhet të përfitojnë nga ky burim i shkëlqyer që është burimi bërthamor i energjisë elektrike. Kryeministri ka ftuar bisnesmenët e huaj që të investojnë në Shqipëri, pasi siç u shpreh ai, “Shqipëria është duke ndryshuar me shpejtësi, për t’u bërë vendi më miqësor për investimet tuaja”. Në këtë drejtim ai i siguroi investitorët e huaj se do të kenë një mbështetje të fortë të qeverisë që drejton, “me qëllim që projektet tuaja të jenë një histori suksesi në vendin tim”. Duke e konsideruar zhvillimin e këtij forumi një vlerësim dhe shans të madh për Shqipërinë, Berisha tha se “ky forum është edhe një dëshmi e marrëdhënieve afatgjata midis Austrisë dhe Shqipërisë”. Kryeministri u ndal në reformat e ndërmarra nga qeveria, duke nënvizuar se “Shqipëria ka kaluar nëpër ndryshime radikale, ka nënshkruar marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, ka marrë ftesën për anëtarësim në NATO”. Kryeministri Berisha nënvizoi se marrja e ftesës është një arritje historike për shqiptarët, nga pikëpamja historike, por nga ana tjetër edhe stabilitet për investitorët e huaj. Kreu i qeverisë vuri në dukje përpjekjet e jashtëzakonshme të qeverisë për të nxitur investimet private. “Nga 42 ditë që duheshin për regjistrimin e biznesit, sot kemi iniciativën “One Stop Shop”, nga një administratë fiskale tepër burokratike, tani jemi një vend me një linjë të vetme taksash, të cilat janë online, prokurimet tashmë bëhen online”, tha Kryeministri, duke nënvizuar se Shqipëria ka barrierën më të ulët fiskale në gjithë Evropën, ka një taksë të sheshtë prej 10%, etj. Ai u ndal edhe tek vendimi i fundit i qeverisë për krijimin e 6 parqeve industriale, nga veriu në jug të Shqipërisë, por dhe për nismën “Shqipëria një euro”, duke thënë se "është një iniciativë që po përhapet çdo ditë e më shumë”. Kontraktorët, shtoi ai, mund ta kenë të gjithë tokën, qoftë për qëllime bujqësore, turistike, apo për qëllime të tjera, vetëm për një euro. Berisha e cilësoi ekonominë shqiptare një ekonomi e re, dinamike, entuziaste. Ai vuri në dukje rritjen ekonomike me 6 për qind, rritjen e eksporteve me 32 për qind , krahasuar me një vit më parë. Duke u ndalur tek investimet e huaja direkte, Kryeministri Berisha tha se "ato kanë ardhur duke u rritur. Një vit më parë, investimet e huaja ishin 57% më shumë se sa sa vitin paraardhës”. “Ka një interes të jashtëzakonshëm nga investitorë të ndryshëm për të investuar në Shqipëri” - tha Kryeministri Berisha, duke nënvizuar se investitorët austriakë janë më të interesuarit. Ai u ndal dhe te resurset shqiptare, duke cilësuar se "Shqipëria është një vend i vogël, por ofron mundësi e shanse për çdo kompani të madhe ndërkombëtare”. Shqipëria, vijoi, ai ka një potencial shumë të madh turistik për t’u përdorur, 400 kilometra bregdet.
 Leonard Quku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›