E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kandiq, qytetare nderi e Ferizajt

Në zyrat e organizatës joqeveritare INPO, sot është nënshkruar kërkesa drejtuar Asamblesë Komunale të Ferizajt për t’ia ndarë çmimin “Qytetar Nderi” humanistes nga Beogradi, Natasha Kandiq.

Kërkesën drejtuar kryetarit të Asamblesë dhe shefave të grupeve të këshilltarëve, e kanë nënshkruar tri organizata joqeveritare, të mbështetura edhe nga klubi i gazetarëve ferizajas “Haki Braha”.

Kërkesën për ndarjen e këtij çmimi humanistes me përmasa ndërkombëtare, në emër të shoqërisë civile e ka arsyetuar Albulena Sadiku. Ajo ka thënë se themeluesja dhe drejtuesja e “Fondi për të Drejtat Humanitare”, nga Beogradi, Natasha Kandiq, deri tash ka fituar më shumë se 20 çmime me karakter ndërkombëtar dhe rajonal.

Kandiq është fituese e çmimit “Ennals Martin”, në vitin 2000. Në vitin 2003 nga revista e njohur “Time” është radhitur në mesin e 36 personave të cilësuar si heronj evropianë. Këtë epitet Kandiq e fitoi edhe në vitin 2006. Fondacioni “Njerëzit në Nevojë”, në vitin 2004 i ndanë çmimin “Homo Homini”, të cilin ia dorëzoi Vaclav Havel.

Natasha Kandiq në vitin 2005 ka marrë çmimin “Qytetar nderi” i Sarajevës. Në vitin 2006 Kandiq u dekorua me një çmim të lartë nga presidenti i Kroacisë.

“E vlerësojmë edhe si obligim moral ndarjen e këtij çmimi për Natasha Kandiqin, e cila në mënyrë të veçantë është angazhuar për të burgosurit politikë nga komuna e Ferizajt, të njohur si ‘Grupi Ferizajt’”, ka thënë Albulena Sadiku në emër të shoqërisë civile.

Sipas saj, Kandiq ishte angazhuar për mbrojtjen e të burgosurve Sylejman Bytyçi, Agim Reçica, Skënder Ferizi, Xhavit Zariqi, Besim Zymberi si dhe të atyre që tashmë janë dëshmorë të kombit, Enver Topalli, Ahmet Hoxha, Rexhep Bislimi dhe Cen Dugolli.

Kjo iniciativë për ndarjen e këtij çmimi ka nisur vitin e kaluar nga shoqëria civile në Ferizaj. Kjo nismë e kishte sjellë në Ferizaj edhe vetë Natasha Kandiqin, e cila ishte ndarë shumë e nderuar dhe shumë e emocionuar, ndërsa kishte takuar disa nga ish të burgosurit, të cilët i kishte ndihmuar pa u kursyer, por që nuk kishte besuar se mund t’i takonte sërish.

Në bazë të bisedave të zhvilluara me përfaqësues të partive politike dhe të grupeve të këshilltarëve, pritet që Asambleja komunale në seancën e radhës ta zyrtarizojë ndarjen e këtij çmimi.

Në këtë mënyrë, Natasha Kandiq nga Beogradi i Serbisë do të jetë qytetari i tretë që fiton këtë çmim. Para saj këtë e ka fituar prifti dhe humanisti i njohur nga Italia, Dom Sandro Shaboleta dhe presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›