E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendet e Painkuadruara mbështesin Serbinë

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremic, gjatë qëndrimit të tij në Manila të Filipineve, në mbledhjen e ministrave të Lëvizjes së Vendeve të Painkuadruara, ka deklaruar të mërkurën se Serbia ka siguruar mbështetjen e vendeve të painkuadruara për çështjen e Kosovës, raportojnë mediat serbe.

Kryediplomati serb ka deklaruar se përpjekjet diplomatike të Serbisë për Kosovën, tashmë janë në fazën e rëndësishme, mirëpo edhe më tutje mbesin detyra të vështira.

“Por ne sikurse deri tani, do të vazhdojmë të bëjmë përpjekje maksimale”, tha ai.

Jeremic, sipas “Fonet”, ka thënë se delegacioni serb në Manila ka pasur numër të madh takimesh me përfaqësuesit më të lartë të vendeve të Lëvizjes së të Painkuadruarve nga e gjithë bota, dhe se është i kënaqur me ato takime.

Jeremic, të enjten do t’iu drejtohet pjesëmarrësve në këtë konferencë me një fjalim rasti. Lëvizja e Vendeve të Painkuadruara ka 118 anëtarë, ndërsa Serbia e ka statusin e vëzhguesit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›