E Diel, 1 Nëntor 2026

Kantina “Arbëri”, mbështetje për investime në panele fotovoltaike dhe në rritjen e kapaciteteve

TIRANË, 8 tetor /ATSH/ Kantina e verës “Arbëri” në Rrëshen është një sipërmarrje familjare e njohur për prodhimin e verërave cilësore nga varietete autoktone shqiptare.

Prej më shumë se 25 vitesh, familja Kaçorri kontribuon në sektorin e bujqësisë dhe përfaqëson verën shqiptare në tregje dhe evente ndërkombëtare.

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot në rrjetet sociale, se Kantina “Arbëri”, krahas prodhimit të verës, zhvillon edhe aktivitetin e agroturizmit, duke ndërthurur traditën, prodhimin vendas dhe mikpritjen në një eksperiencë të veçantë për vizitorët.

Rama tha se “nëpërmjet mbështetjes së AZHBR-së, përmes Skemës Kombëtare të Investimeve dhe Programit IPARD, kantina ka përfituar mbështetje për investime në zhvillimin e aktivitetit dhe përmirësimin e kapaciteteve të saj”.

E mbështetur nga AZHBR përmes Skemës Kombëtare, investimi ka përfshirë ndërtimin e agroturizmit, ambienteve të grumbullimit dhe ruajtjes së verës, si dhe krijimin e ambienteve të degustimit. Ndërsa përmes programit IPARD është financuar zgjerimi i vreshtave dhe investimi në mekanikë bujqësore, duke forcuar bazën e prodhimit.

“Kantina “Arbëri” ka mbi 25 vite që operon në tregun shqiptar dhe në tregun ndërkombëtar. Kryesisht jemi të përqendruar në varietetet autoktone, me Sheshin, Sheshi i Bardhë, Sheshi i Zi, por Kallmeti është arma më e fortë e prodhimit të verërave në këtë kantinë”, u shpreh Fran Kaçorri.

Ai tha se rritja e kapaciteteve prodhuese në kantinë dhe në strukturën agroturistike solli nevojën për investime të reja, përfshirë instalimin e paneleve fotovoltaike.

Sipas Kaçorrit, mbështetja për investimin ka ndihmuar në rritjen e kapaciteteve të aktivitetit dhe në përmirësimin e kushteve për zhvillimin e agroturizmit.

Qeveria shqiptare me linjën e financimit të kredisë së butë, të mbështetur nga Garancia Sovrane dhe Paketa e Maleve, nxit investimet në agroturizëm për zgjerimin, modernizimin dhe zhvillimin e ekonomisë lokale.

/e.i/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›