E Diel, 1 Nëntor 2026

Kantrimen: Bllokimi i zgjedhjeve lokale është antikushtetuese

10/02/2011  Zyrtari amerikan kërkon dorëzimin në KQZ të listave të komisionerëve

“Ngjarja e 21 janarit, të hetohen vrasësit dhe organizatorët”

Zëvendëssekretari amerikan për Europën dhe Azinë Tomas Kantrimen është shprehur dje se çdo tentativë për të bllokuar zgjedhjet vendore të 8 majit është antikushtetues, që asnjë demokraci nuk e meriton. Këto deklarata zyrtari i lartë amerikan i bëri pas takimeve që zhvilloi me Kryeministrin Berisha, Presidentin Topi dhe kreun e opozitës Edi Rama. Ndër të tjera në fjalën e tij zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit mbështeti deklaratën e dy ditëve më parë të ambasadorit të OSBE-së në Tiranë dhe, ashtu si dhe Volfart, edhe Kantrimeniu bëri thirrje opozitës të dorëzojë pranë institucionit më të lartë zgjedhor në Shqipëri listat me propozimet e saj për anëtarë të KZAZ-ve, në mënyrë që të mos vonohet më tej organizimi i zgjedhjeve vendore të 8 majit. “Për sa u përket zgjedhjeve, vendi ynë ka përvojat e fundit për zgjedhje të kontestuara. Dhe ne i zgjidhim këto probleme përmes mjeteve kushtetuese. Në rastin e Shqipërisë është e rëndësishme që problemet mbi zgjedhjet të trajtohen me mjete kushtetuese. Është edhe më e rëndësishme për partitë dhe qytetarët të mësojnë nga çdo përvojë e zgjedhjeve të papërsosura. Shqipëria nuk është e vetme në këtë proces. OSBE-ja dhe ODIHR-i kanë ndihmuar në krijimin e një liste gjithëpërfshirëse të asaj që nevojitet për të krijuar sistemin e duhur në Shqipëri. Gjithashtu shprehim pakënaqësinë tonë që qeveria dhe opozita nuk kanë gjetur mënyrën për të trajtuar këto çështje”, - ka deklaruar Kantrimen, duke kërkuar njëkohësisht që të zhvillohen zgjedhjet e të 8 majit. “Kur ka një mungesë demokracie, kërkohet më shumë demokraci. Për këtë arsye është besimi ynë që zgjedhjet vendore të përcaktuara për këtë vit të vazhdojnë. Presidenti ka përdorur mjetet kushtetuese për të thirrur zgjedhjet vendore dhe ne e respektojmë autoritetin e tij kushtetues. Qytetarët e Shqipërisë meritojnë të zgjedhin mes partive, që nënkupton se partitë duhet të marrin pjesë në një proces zgjedhor. Bllokimi i zgjedhjeve është një veprim antikushtetues, që një demokraci nuk e meriton”, - tha Kantrimen.

Hetimi

Duke garantuar se Prokuroria do të ketë të gjithë përkrahjen e saj nga Shtetet e Bashkuara, Kantrimen i bëri thirrje organit të akuzës që të zhvillojë një hetim gjithëpërfshirës dhe të pavarur për ngjarjen e 21 janarit. “I takon Prokurorisë së Përgjithshme të bëjë një hetim tërësor, profesional dhe të ekuilibruar, që do të vërtetonte funksionimin e shtetit të së drejtës, qëndrueshmërinë e institucioneve të pavarura e kushtetuese”, - deklaroi Kantriman. Që të zhvillohet një hetim sa më gjithëpërfshirës, ai i bëri thirrje Prokurorisë që të përfshijë në hetim të gjithë aktorët e përfshirë në këtë ngjarje. “Të hetohen të gjithë aktorët e përfshirë në të. Prokuroria të hetojë Policinë, Gardën, protestuesit, por dhe organizatorët e demonstratës, që u mbyll në mënyrë tragjike. Dhe në këtë mënyrë mund të tregohet se demokracia në Shqipëri është funksionale”, - deklaroi Kantrimen.

Protesta

“Në çdo demokraci protestat paqësore janë e drejtë e qytetarëve dhe qeveria në vende të tilla ka si detyrim që të mos i ndalojë dhe mos përdorë dhunën ndaj këtyre protestave. Por edhe protestuesit kanë përgjegjësinë të mos ushtrojnë dhunë në protesta. Pyetja që ne shtrojmë është: pse pas qindra protestave paqësore protesta e 21 janarit përfundoi në dhunë?”

Takimet

Zv.sndihmëssekretari i Shtetit për Evropën dhe Azinë, Tomas Kantriman, ka zhvilluar gjatë ditës së djeshme takimet e parashikuara me liderët e politikës shqiptare. Rreth orës 14:30 ai është takuar me Kryeministrin Berisha si dhe rreth orës 16:00 me kreun e opozitës Edi Rama. Më tej zoti Kantrimen ka zhvilluar një takim me Presidentin e Republikës Bamir Topi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›