E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oketa: Ikonomi të shpallet “non grata”

10/02/2011  MPJ: Deklaratat e konsullit në Korçë ishin personale. Greqia distancohet

Turdiu: Zëri i konsullit grek nuk është i veçuar, ka dhe zëra të tjerë

Duke u nisur nga deklaratat e bëra nga konsulli grek Theodhoros Ikonomi Kamarinos gjatë 20-vjetorit të “OMONIA”-s në Korçë, ku bëri thirrje për regjistrimin e popullsisë greke në Korçë, duke pohuar se në këtë qytet ka grekë, Komisioni kuvendor për Politikën e Jashtme ka thirrur paraditen e djeshme në seancë dëgjimore sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme Gazmend Turdiu. Në Komisionin parlamentar për Politikën e Jashtme ishin ftuar për t’u dëgjuar përfaqësues të lartë të Ministrisë së Jashtme mbi qëndrimin e mbajtur ndaj deklaratave të konsullit grek në Korçë për çështjen e regjistrimit të popullsisë sipas kombësisë. Turdiu, i cili shoqërohej nga ambasadori i Republikës së Greqisë në Tiranë Nikolas Pazios, gjatë seancës dëgjimore të djeshme ka informuar anëtarët e këtij komisioni për takimin që është zhvilluar me ambasadorin grek në Tiranë. Sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Jashtme, gjatë këtij takimi ambasadori grek e ka cilësuar personal qëndrimin e konsullit grek. Njëkohësisht përfaqësuesit e Ministrisë së Jashtme kanë vlerësuar qëndrimin që ka mbajtur kryetari i bashkisë së Korçës Niko Peleshi, i cili është distancuar krejtësisht, duke i dënuar hapur deklaratat e konsullit Ikonomi. Gjithashtu sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme deklaroi para deputetëve se zëri i konsullit grek në Korçë nuk është i veçuar. “Në këto linja ishin edhe dy deputetë greke të Janinës dhe Follorinës, që ishin të pranishëm në ceremoni, përfshirë këtu edhe kreun e PBDNJ-së Vangjel Dule”, - u shpreh Turdiu. Por kreu i Drejtorisë së Përgjithshme rajonale konfirmoi se ambasadori grek në Tiranë ka saktësuar se këto janë mendimet individuale të konsullit dhe jo qëndrim i shtetit grek. Duke iu referuar dhe distancimit të kryediplomatit grek në Tiranë vetëm para dy ditësh, kryeministri Berisha u shpreh: “Ambasadori konfirmoi se ky nuk është qëndrimi i shtetit grek, por një qëndrim personal, që do ketë pasojat e veta. Kjo varet nga qarqet që e kanë dërguar”, - tha Berisha. Sipas të dhënave të paraqitura paraditen e djeshme nga përfaqësuesit e Ministrisë së Jashtme, konsulli grek ka bërë thirrje kundër shtetit shqiptar edhe herë të tjera.

Kërkesa e Oketës

Deputeti dhe anëtari i Komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme Gazmend Oketa në mbledhjen e djeshme të këtij komisioni kërkoi shpalljen person “non grata” të konsullit grek në Korçë për deklaratat antishqiptare të tij. “Personalisht, si deputet dhe si anëtar i Komisionit të Jashtëm do të rekomandoja shpalljen person non grata të konsullit grek në Korçë”, - u shpreh Oketa.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›