E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kantrimen: Politika të mos përzihet në hetimet e 21 janarit

WASHINGTON- Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Tom Kantrimen u bën thirrje dy palëve në Shqipëri të qetësojnë situatën, nga e cila ka vetëm të humbur dhe nuk mund të ketë fitues.

“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara nga mundësia e përsëritjes së dhunës”- citohet të ketë thënë zyrtari i lartë amerikan në një intervistë që do të transmetohet sot pasdite në Zërin e Amerikës. Ndërkohë që sot në mëngjes në faqen online të VOA, në seksionin shqip, janë publikuar disa detaje të intervistës.
Zoti Kantrimen ka quajtur të gabuar vendimin e kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama për të vazhduar me planet për organizimin e një proteste tjetër të premten.

Zv ndihmës sekretari i Shtetit për Europën ka përsëritur mbështetjen për hetimet e ngjarjeve të 21 janarit por ka bërë dhe apel politikës që të mos t’i përdorin përpjekjet e prokurorëve si një mjet politik.

“Shtetet e Bashkuara, do ta ndihmojnë Shqipërinë me hetimet e ngjarjeve të 21 janarit. Institucionet e pavarura në Shqipëri, janë të afta të bëjnë hetime të besueshme. Por udhëheqësit politikë, duhet të heqin dorë dhe të mos t’i përdorin përpjekjet e prokurorëve si një mjet politik.”- citohet të ketë thënë Kantrimen.

Zyrtari i lartë amerikan ka theksuar se “Ky nuk është një mjet për një palë të godasë tjetrën. Partitë duhet të mos përzihen, por të bashkëpunojnë me prokurorinë dhe të lejojnë që hetimet të vazhdojnë, thotë zyrtari i lartë amerikan”.
(s.g/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›