E Diel, 1 Nëntor 2026

Kaos kuqezi, na mund edhe Azerbajxhani

Shqipëri-Azerbajxhan   0-1
Shënues: Aliev 22′
Shqipëria: Hidi, Lila, Dallku, Teli, Agolli, Roshi (Kapllani 87′), Cana, Bakaj (Januzi 72′), Hyka, Bogdani (Vila 46′), Salihi (Muzaka 79′). Trajner: Xhemal Mustedanagiç.
Azerbajxhani: Popoviç, Melikov (Allahverdijev 55′), R.Sadigov, Levin, Çertoganov (Amirgulijev 80′), Husejnov, Abishov, Nadirov (Asijev 63′), Budak, Alijev, Subashiç (E.Mamadov 74′). Trajner: Berti Vogst
Gjyqtarë: Paolo Maxoleni/ M.Tonolini dhe E.Di Liberatore

Pa trajner, pa mbështetjen e tifozëve (grupimi “Tifozët kuqezi” patën deklaruar se do bojkotonin ndeshjen dhe ashtu ndodhi), dhe në një atmosferë të akullt, Shqipëria e drejtuar nga tekniku i U-17, Xhemal Mustedanagiç, tregoi edhe njëherë problemet e mëdha që ka jo vetëm në ndërtimin e aksioneve, por edhe në kontrollin e lojës. Ndonëse nuk kishte përballë një skuadër tipike sulmuese, duhet thënë se të paktën në pjesën e parë mbrojtja jonë vuajti së tepërmi, kjo edhe për faktin se Dallku e Teli luanin për herë të parë me njëri-tjetrin në qendër të mbrojtjes (Mustedanagiç spostoi Canën në mesfushë dhe kaloi Dallkun në qendër). Dhe pikërisht nga një gabim i kësaj dysheje, më së shumti i Dallkut, erdhi edhe goli i Azerbajxhanit, në minutën e 22-të të takimit. Levin shmangu bukur mbrojtësin kosovar në hyrje të zonës, pasoi për Aliev, i cili përballë Hidit nuk e pati të vështirë për të shënuar. Deri në këtë moment, Shqipëria nuk kishte gjuajtur asnjëherë në portën e portierit Popoviç. Por pësimi i goli bëri që kuqezinjtë të shikonin më tepër nga sulmi, duke qenë se aty përpara luanin dy “pyka” të vërteta: Salihi dhe Bogdani. Gjithsesi, as i pari dhe as i dyti nuk arritën të rrezikonin qoftë edhe një herë të vetme portën azerbajxhanase në fraksionin e parë të lojës, duke detyruar “Xheman”, teknikun e emergjencës, që në pjesën e dytë të linte në dhomat e zhveshjes Bogdanin, duke hedhur në fushë një mesfushor, Vilën, kjo për t’i dhënë më shumë mundësi skuadrës që të lëvizte nga krahët. Në fakt, me një Hyka më të lëvizshëm në krahun e majtë dhe me Roshin në të djathtë, loja mori një fizionomi tjetër, aq sa kuqezinjtë mbyllën në gjysmëfushën e tyre kundërshtarin. Por ajo që nuk funksiononte ishte qartësia para portës së Azerbajxhanit. Roshi, Salihi, Hyka, por edhe Bakaj e Cana provuan me radhë që të dërgonin topin në rrjetë, por ca për gabime trashanike të lojtarëve tanë dhe ca për meritë të mbrojtjes kundërshtare, porta e Popoviç mbeti e paprekur. Sakaq, duhet thënë se në pjesën e dytë, Mustedanagiç tentoi të ndryshonte dy-tri herë skemën e skuadrës, bazuar edhe në zëvendësimet e bëra (futi Januzin, Muzakën, Kapllanin), por as kjo gjë nuk dha rezultat. Shqipëria humbet sërish, e shtata për këtë vit (1-2 me Slloveninë, 2-0 me Bosnjë, 4-0 me Argjentinën, 2-1 dhe 3-0 me Francën, 2-1 me Luksemburgun dhe 1-0 me Azerbajxhanin) në 10 takime të zhvilluara (2 fitore: 1-0 Bjellorusinë, 3-2 me Malin e Zi dhe 1 barazim, 1-1 me Rumaninë).
LEONARD KARAJ

Çudit “Xhema”: Ndeshja më e mirë, pas Bjellorusisë
Trajneri i Shqipërisë në këtë ndeshje, Xhemal Mustedanagiç, ka deklaruar çuditërisht se ndaj Azerbajxhanit Kombëtarja kishte zhvilluar një nga ndeshjet e saja më të mira pas asaj të luajtur me Bjellorusinë. “Ishte një ndeshje e mirë e luajtur nga skuadra jonë, ndoshta më e mira që kemi zhvilluar pas asaj me Bjellorusinë. Krijuam raste për shënim, por fatkeqësisht nuk arritëm të shënonim. Pjesa e parë ishte e ekuilibruar dhe gabuam vetëm në një rast ku edhe u ndëshkuan. Në pjesën e dytë ndryshuam totalisht dhe dominuan tërë ndeshjen. U munduam të shënonim, por herë për meritë të kundërshtarit, herë për paqartësinë tonë dhe ndonjëherë edhe se s’patëm fat, dolëm nga kjo ndeshje të humbur. Gjithsesi, jam i kënaqur nga loja që zhvilluan pjesa më e madhe e lojtarëve të rinj që kanë luajtur më pak gjatë këtij edicioni kualifikimesh”, ka pohuar pas ndeshjes Mustedanagiç.

Vogst: Rezultati më i drejtë, barazimi
Kavalier dhe modest deri në fund. Trajneri i Azerbajxhanit, gjermani Berti Vogst, vlerësoi lojën e skuadrës së tij, por edhe të ekipit tonë, përderisa pohoi se rezultati më i drejtë do kishte qenë barazimi. “Luajtëm përgjithësisht mirë. Në fraksionin e parë të lojës shfrytëzuam mirë hapësirat e lëna nga Shqipëria dhe arritëm të kalonim në avantazh. Në pjesën e dytë pësuam sulmet e kundërshtarit dhe qemë me fat që nuk pësuam gola. Realisht, rezultati më i drejtë do kishte qenë barazimi, kjo nisur nga ajo çka dhanë të dyja skuadrat në fushën e lojës”, tha Vogst.

Lorik Cana: Luajtëm një ndeshje relativisht të mirë
“Luajtëm një ndeshje relativisht të mirë, por kur mendon se na mundi një skuadër si Azerbajxhani, atëherë ndjen keqardhje. Gjithsesi, skuadra prodhoi lojë dhe të paktën në pjesën e dytë e dominoi kundërshtarin. Për fatin tonë të keq nuk arritëm që të shënonim në rastet që krijuam, kjo edhe për meritë të mbrojtjes së Azerbajxhanit. Personalisht më pëlqeu edhe loja e disa lojtarëve të ashtuquajtur të rinj, por që kanë kohë që janë në këtë ekip”.

Sfumohet tratativa, edhe Kuman refuzon Shqipërinë
Ervin Kuman është emri tjetër nga i cili pritet një përgjigje, që me shumë gjasa do jetë negative, si ajo e Hasit në fillim dhe e Kostner më pas. Kështu, holandezi mund të bëhet trajneri i tretë që refuzon ofertën e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, për postin e trajnerit të Kombëtares. Sipas informacioneve, presidenti Armand Duka i ka bërë një ofertë dhe momentalisht është ende në pritje të përgjigjes së ish-teknikut të Hungarisë. Faktikisht, Kuman duhej të ishte shprehur që ditën e djeshme lidhur me interesin që federata pati treguar për të, por mësohet se trajneri nëpërmjet menaxherit të tij ka kërkuar edhe 24 orë kohë, me idenë se ka edhe oferta nga kombëtare të tjera. Mirëpo, mësohet se ky mund të jetë edhe një manovrim i holandezit për të rritur pazarin, duke parë që pankinën e Kombëtares shqiptare e kanë refuzuar zyrtarisht, të paktën deri tani, dy trajnerë: Besnik Hasi dhe Lorenz-Gynter Kostner.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›