Play-off, Kroacia mund Turqinë në Stamboll
“Tërmet” në Turqi. Skuadra e Gus Hidink është mundur mbrëmë në ndeshjen e parë play-off nga Kroacia me rezultatin e pastër 3-0, duke i dhënë fund ëndrrës për një vend në kampionatin europian të 2012-s. Vendësit u shokuan që në minutën e dytë, kur sulmuesi i Bajernit të Mynihut, Ivica Oliç, shënoi për miqtë nga Kroacia. Hidink u mundu që të qetësonte të tijtë, duke kërkuar një postim në gjysmëfushën e kroatëve, por në momentin kur vendësit po sulmonin me shumë forca vjen edhe goli i dytë në minutën e 32-të, shënuar nga Mandzukiç. Por nuk do mbaronte me kaq. Vuajtjet e turqve do të shtoheshin më shumë, kur Korluka do siglonte edhe golin e tretë në pjesën e dytë në minutën e 51-të. Me këtë rezultat, Kroacia e pret e qetë ditën e martë në Zagreb Turqinë, pasi është thuajse e kualifikuar. Në ndeshjen tjetër, Çekia mundi Malin e Zi falë golave të Pilar në minutën e 63-të dhe Sivok në minutën e 90-të, ndërsa Irlanda e Trapatonit mundi 4-0 në Talin Estoninë me gola të Endrjus në minutën e 13-të, Uolters 67′ dhe Kin 71′, 88′. Por duhet thënë se estonezët luajtën për më shumë se një orë me një lojtar më pak, dhe nga minuta e 77-të me dy lojtarë më pak. Në minutën e 34-t, doli Stepanov me karton të kuq, ndërsa në të 77, Piroja. Ndërsa në “Bilino Polje” të Zenicës, Bosnja nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola me Portugalinë e Kristiano Ronaldos. Nisur nga rezultatet e këtyre ndeshjeve, duket se Kroacia dhe Irlanda e kanë gati në xhep kualifikimin, ndërsa katër ekipet e tjera janë ende në lojë për të eliminuar njëra-tjetrën, me pretendimin e një vendi në Kampionatin Europian të 2012-s në Ukrainë dhe Poloni.
Gjermania, spektakël në Ukrainë
Gjermania e Joakim Lëv vazhdon me rezultate pozitive edhe në ndeshje miqësore, duke kthyer nga 1-3 në 3-3 ndeshjen me Ukrainën. Vendësit, të drejtuar nga Oleg Blokhin, shënuan të parët me Jarmolenko (28′) dhe Konopljanka (36′), ndërsa Toni Kros shkurtoi diferencën në minutën e 38-të. Por në minutën e fundit të pjesës së parë, Nazarenko shënoi edhe golin e tretë. Fraksioni i dytë i lojës ishte i tëri për gjermanët, të cilët edhe pse me shumë zëvendësime dhe eksperimente në formacion, arritën të barazonin falë golave të Rolfes (65′) dhe Myler (77′). Sakaq, fitore shënoi Italia e Prandelit në fushën e Kombëtares polake falë golave të Balotelit në minutën e 30-të të pjesës së parë dhe Pacinit në minutën e 60-të. Duhet thënë se në minutën e 85-të, Blaszjkovski humbi një penallti. Në ndeshjet e tjera, Danimarka mundi 2-0 Suedinë, Greqi barazoi 1-1 me Rusinë, Holanda nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola me Zvicrën, ndërsa Belgjika mundi 2-1 Rumaninë e Viktor Piturkës.