Trepça kërcënon Prishtinën
Xhiroja e pesëmbëdhjetë e Superligës së Kosovës në futboll nis të shtunën me duelin ndërmjet dy rivalëve të vjetër, Trepçës e Prishtinës, takim ky i cili do të zhvillohet në stadiumin ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë
‘Xehetarët’, të cilët këtë stinor nuk e kanë nisur mirë, synojnë që të shtunën ta shfrytëzojnë përparësinë e terrenit dhe ta mposhtin njërin prej kandidatëve më serioz për titull të kampionit, Prishtinën.
“Trepça nuk ka pasur krizë të lojës, por kemi pasur krizë në konkretizimin e rasteve. Por, sulmuesi Berat Hyseni në kohën e duhur është rikthyer në formë dhe na ka ndihmuar ta tejkalojmë tashmë atë krizë. Ndaj Prishtinës presim përkrahjen e tifozëve ‘Torcida’. Sikurse në çdo ndeshje, edhe në këtë takim ne do të hyjmë për të shënuar fitore ndaj Prishtinës, të cilën e respektojmë. Besoj se me lojë të hapur do ta kënaqim publikun”, ka deklaruar për Express trajneri i ‘Xehetarëve’, Fidaim Haxhiu.
Për prishtinasit kjo konsiderohet një sfidë e vështirë. Prishtina sivjet nuk po tregohet aq e sigurt në duelet e saj si mysafire. Bardhekaltrit deri më tani i kanë pësuar tri humbje, dhe të gjitha ato jashtë kryeqytetit, respektivisht si mysafire e Hysit, Drenicës dhe Trepçës ’89.
Megjithatë, ata besojnë se kësaj radhe nuk do të pësojnë në Mitrovicë, ku përballë Trepçës objektiv kanë trepikëshin e plotë, ani pse në stadiumin ‘Adem Jashari’ do të hyjnë me shumë mungesa.
“Vërtet do të jetë problem për ne, sepse i kemi 5-6 mungesa shkaku i lëndimeve dhe kartonëve. Megjithatë, ne do ta japim maksimumin në Mitrovicë për ta nxjerr një rezultat pozitiv. Realisht, fitorja është objektivi kryesor i yni”, ka thënë trajneri i skuadrës bardh e kaltër, Ramiz Krasniqi.
Ndërkohë, të dielën zhvillohen pesë takime të tjera interesante, duke përfshirë superderbin mes Vëllaznimit e Dritës.
Superliga - xhiroja 15-të
E shtunë
Trepça – Prishtina
E diel
Gjilani – Trepça ’89
Besa – KEK-u
Lepenci – Liria
Hysi – Drenica
Vëllaznimi – Drita
Të gjitha ndeshjet fillojnë në ora 13:00