E Diel, 1 Nëntor 2026

Kaos në Kuvend, Balla propozon kalimin në votim në seancë

Seanca e fundit plenare për këtë sesion parlamentar u shoqërua me tensione dhe përplasje fizike mes deputetëve të opozitës dhe gardës.

Para nisjes së punimeve, opozitarët hynë në sallë dhe zunë vendet e kabinetit qeveritar, duke krijuar kaos në sallën e Kuvendit.

Gardistët u përpoqën t’i largonin, por situata degjeneroi në përplasje fizike.

Për shkak të pamundësisë për të zhvilluar diskutimet e parashikuara në rendin e ditës, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kërkoi kalimin menjëherë në votim.

“Në vlerësim të kësaj pamjeje të paralajmëruar, me shpresën se do të motivojë mbështetësit e Partisë Demokratike për të rritur pjesëmarrjen nga rreth 300 në 400 protestues në protestën e thirrur për ditën e hënë, dhe në respekt të procedurës sipas nenit 49, pika 1, sot u bë e pamundur zhvillimi i diskutimeve në Kuvend. Në agjendën e ditës ishin parashikuar një sërë çështjesh të rëndësishme, përfshirë edhe një debat mbi luftën kundër krimit. Megjithatë, duket se opozita nuk do të zhvillojë seancën, duke bllokuar kështu diskutimet e planifikuara. Ju lutem, hidhni në votim propozimin tim për të kaluar menjëherë në votim,” tha Balla, duke i drejtuar kërkesën kryesisë së Kuvendit.

Balla tha se , në agjendën e ditës ishin parashikuar çështje të rëndësishme, përfshirë një debat mbi luftën kundër krimit, por për shkak të bllokimit nga opozita, diskutimet nuk u zhvilluan.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›