Kaosi kthehet në Kajro

Opozita egjiptiane po kërkon që Morsi të pezullojë dekretet me të cilat vetes i dha një fuqi absolute, dhe të tërheqë projekt-kushtetutën e diktueshme.
Të enjten ndërkaq, përkrahësit e Morsit, që ishin shumëfish më të numërt, “i fshinë” kundërshtarët e tij të mbledhur para pallatit presidencial. Demonstruesit u shpërndanë nëpër rrugët e afërme.
Lideri i pozitës, Mohamed el Baradej, ndërkohë akuzoi përkrahësit e presidentit Morsi se sulmi i tyre ndaj protestuesve të qetë ishte “tinëzar dhe të planifikuar”.
Ndryshe, presidenti egjiptian tashmë ka shpallur referendumin për projekt-kushtetutën e re të vendit, i cili duhet të mbahet më 15 dhjetor. Komisioni Zgjedhor i Egjiptit, i cili dominohet nga islamikët, më 30 nëntor ka miratuar projekt-kushtetutën e re, e cila është kritikuar ashpër nga opozita e vendit.
Në fakt, pritej që të dielën e kaluar Gjykata Supreme e Egjiptit të shpallte për jolegjitim komisionin kushtetues i cili miratoi projekt-kushtetutën e re, por edhe të shpërndante dhomën e lartë të parlamentit të vendit. Mirëpo, në vend të kësaj, gjykatësit u hodhën në grevë, pasi që në ndërtesën e gjykatës hynë demonstruesit pro-Morsit.
Opozita ende nuk është deklaruar nëse synon që energjinë e saj ta drejtojë nga protestat për bojkotimin e referendumit, apo vetëm do të votojë kundër projekt-kushtetutës së propozuar.
Sipas agjencisë AP, kjo është kriza më e rëndë në Egjipt që prej rrëzimit të regjimit të presidentit autoritar, Hosni Mubarak, në shkurt të vitit të kaluar. Për më tepërm sipas AP, vendi tani është i ndarë në dy pjesë, respektivisht, në Morsin dhe Vëllazërinë e tij fundamentaliste Myslimane – bashkë me salafistët ultrakonservatorë, në njërën anë, dhe në partitë liberale dhe sektorin e madh publik, nga ana tjetër.
Para trazirave të së enjtes, disa mijëra kundërshtarë të presidentit Morsi e kaluan natën para pallatit presidencial në Kajro, ku po protestonin kundër dekretit përmes të cilit ai ka zgjeruar kompetencat e veta, dhe kundër projekt-kushtetutës kontroverse.
Protestat eskaluan të martën mbrëma, kur disa dhjetëra-mijëra protestues rrethuan presidencën. Ky ishte numri më i madh i protestuesve që nga revolucioni i vitit 2011, përmes të cilit u rrëzua Mubarak. Gjatë protestës, shumë protestues ngritën tenda para presidencës, gjë që rezultoi me konflikt të hapur mes demonstruesve dhe policisë, e cila përdori edhe gaz lotsjellës.
"Më në fund, u rrethua presidenca” shkruante në ballinë e së mërkurës të gazetës ‘Al-Shuruk’, përderisa gazeta ‘Al-Vatan’ në ballinë kishte titullin “Revolucioni në prag të presidentit”.
Paralelisht, edhe disa qindra përkrahës të Morsit e kaluan natën në sheshin Tahrir, të vendosur brenda disa dhjetëra tendave që ishin ngritur aty gjatë dy javëve të fundit.
Përmes rrjeteve sociale aktivistët e egjiptianë kërkonin batanije dhe ushqim për demonstruesit, derisa nënvizonin se nuk do të largoheshin nga sheshi deri atëherë kur Morsi të heqë dorë nga zgjerimi i autorizimeve të tij, të parapara me dekretin e 22 nëntorit.
Me këtë dekret, presidenti Morsi ka gjeruar dukshëm autorizimet, si dhe ia ka ‘uzurpuar’ të drejtën gjyqësorit për të shqyrtuar vendimet e tij.
Gjithashtu, ai për datën 15 dhjetor ka caktuar një referendum për kushtetutën e re të vendit, i cili, sipas pohimeve të kundërshtarëve të tij, është miratuar me nguti nga ana e komisionit kushtetues – shumica e anëtarëve të të cilit janë islamistë. Tutje, sipas oponentëve të Morsi, kjo kushtetutë nuk i mbron as të drejtat elementare të qytetarëve, përfshirë këtu lirinë e shprehjes, dhe ia hap dyert implementim it të ligjit të ashpër islamik – sheriatit.
Morsi, që është presidenti i parë islamik i Egjiptit, ndërkohë ka deklaruar se do të heqë dorë nga autorizimet e zgjeruara menjëherë pas ratifikimit të të kushtetutës së re të vendit. Por, vendimet e tij ditëve të fundit kanë nxjerrë në rrugë dhjetëra-mijëra njerëz, kundërshtarë dhe përkrahës të tij. E, kjo situatën e bënë shumë të paparashikueshme, edhe pse të enjten pasdite u raportua se ushtria ka nisur me dislokimin e tankeve nëpër kryeqytet. Kjo, ngase vetëm, gjatë trazirave të dy ditëve të fundit u raportua për të paktën tetë të vrarë dhe mbi 600 të lënduar.