E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaosi në Grupin B, ja shanset e 4 ekipeve

Foto ilustruese

Skuadrat në lojë për kualifikim, por mund të shkohet edhe drejt shortit.

Skënderbeu e Flamurtari favoritët, u mjafton një barazim.

Grupi B i Kupës së Shqipërisë është një intrigë më vete për sa u përket skuadrave që do të kualifikohen në turin gjysmëfinal. Edhe pse praktikisht Flamurtari dhe Skënderbeu janë ekipet favorite për të kaluar turin (kanë nga tetë pikë dhe u mjafton një barazim në takimet e sotme), nuk është çudi që të katërta skuadrat ta mbyllin këtë fazë me nga 8 pikë. Klubet kanë nisur të bëjnë llogaritë dhe, sipas të gjitha gjasave, pas 90-minutëshit të fundit do të ketë jo pak polemika për interpretimin e rregullores së veprimtarisë futbollistike, në lidhje me renditjen përfundimtare të Kupës së Shqipërisë në turin çerekfinal. Nëse ka surpriza, atëherë mundësitë më të mëdha janë që të merret parasysh diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar gjatë ndeshjeve në grup, pasi dy pikat e para do të bien poshtë.
Flamurtari – Vlonjatët kryesojnë grupin me tetë pikë dhe kanë një golavarazh 7-5. Në ndeshjen e sotme në Shkodër, Flamurtarit i mjafton edhe një barazim për të kaluar turin. Gjithashtu, edhe nëse kuqezinjtë humbasin 1-0 në Shkodër, atëherë kualifikohen menjëherë në bazë të golavarazhit të përgjithshëm 7-6. Flamurtari heq qafe Vllazninë me pikën 2, ku merret parasysh diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar në ndeshjet e zhvilluara mes ekipeve përkatëse. Në takimin e parë, vlonjatët fituan 2-0.
Skënderbeu – Edhe korçarët janë me tetë pikë, por në vendin e dytë në grup, për shkak të golavarazhit 7-7. Një barazim ndaj Laçit në sfidën e sotme i kualifikon bardhekuqtë. Humbja ndaj bardhezinjve dhe një fitore me dy gola e Vllaznisë ndaj Flamurtarit e eliminon Skënderbeun. Nëse ndodh kështu, merret parasysh golavarazhi dhe korçarët dalin të humbur me shkodranët. I vetmi shans nëse humbin minimalisht 1-0 ndaj Laçit, është që sfida në Shkodër të përfundojë barazim. Kështu kualifikohen.
Vllaznia – Kuqeblutë duhet të fitojnë 2-0 me Flamurtarin për të qenë direkt në turin gjysmëfinal. Me këtë rezultat shkodranët likuidojnë ekipin vlonjat me pikën 4 të rregullores, ku merret parasysh numri më i madh i golave të shënuar gjatë ndeshjeve në grup. Vllaznia ka edhe një shpresë nëse fiton 1-0 dhe, nga ana tjetër, Laçi mposht Skënderbeun po me këtë rezultat.
Laçi – Një fitore kundër Skënderbeut me 3 gola diferencë e çon ekipin bardhezi në gjysmëfinale. Nisur edhe nga rezultati i ndeshjes Vllaznia-Flamurtari, kurbinasit përfitojnë nga diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar gjatë ndeshjeve në grup, gjithnjë nëse arrijnë ta bëjnë sot realitet fitoren 3-0.

Kupa e Shqipërise
Grupi A

Sot, ora 15:00
Bylis-Kamza
Kastrioti-Tirana
Renditja – Tirana 11 pikë (e kualifikuar), Kastrioti 7 pikë, Bylis 6 pikë, Kamza 2 pikë.
Grupi B
Sot, ora 15:00
Vllaznia-Flamurtari
Skënderbeu-Laçi
Renditja – Flamurtari 8 pikë, Skënderbeu 8 pikë, Vllaznia 5 pikë, Laçi 5 pikë.

Shpërblimi
Një premio prej 8 milionë lekësh të vjetër kanë akorduar drejtuesit e klubit të Vllaznisë, në rast se skuadra e tyre do të arrijë të kualifikohet për në gjysmëfinalen e Kupës. Drejtuesit e klubit kishin kohë që theksonin që për takimin me Flamurtarin, ekipit të tyre nuk do t’i mungonte premioja në rast fitoreje. Dhe ditën e djeshme, dy krerët më të lartë, administratori Kujtim Shaba dhe drejtori sportiv Armir Grima, kanë bërë të ditur për mediat një gjë të tillë. Në kampin shkodran, të gjithë po mbajnë frymën, ndërsa presin sfidën me Flamurtarin, ndeshje kjo nga e cila varen edhe objektivat e shkodranëve.

Shaba akuzon: Flamurtari, aleat i Tiranës
Administratori i Vllaznisë, Kujtim Shaba, ka akuzuar Tiranën dhe Flamurtarin për marrëveshje të fshehta mes tyre, në dëm të Vllaznisë. “Ajo çka i trembemi ne, është marrëveshja që mund të bëhet në kurrizin tonë. Flamurtari dhe tri vite më parë bëri kompromis me Tiranën për të lënë pas kuqeblutë. Dhe po të njëjtën gjë po kërkojnë që ta bëjnë sërish. Ne kërkojmë që të zhvillohet një futboll i pastër dhe të mos ketë asnjë ndërhyrje nga jashtë. Megjithatë, e gjithë vëmendja jonë është fokusuar te ndeshja e nesërme (sot) me Flamurtarin, sfidë kjo që duhet ta kalojmë me çdo kusht me sukses. E dimë se do të jetë një përballje e vështirë, ndaj dhe duhet të japim maksimumin që të kalojmë këtë pengesë të madhe. Sa i përket pretendimit të skuadrës, mund të them se, pavarësisht çfarë do të ndodhë këtë sezon, për sezonin e ardhshëm do të jemi pretendentë”, ka thënë Shaba.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›