Muça: Në Shkodër luajmë për fitore
Flamurtari do të luajë sot një nga sfidat më të rëndësishme, teksa do të përballet në transfertë ndaj Vllaznisë. Nga rezultati përfundimtar i kësaj përballjeje do të varen edhe fatet e tyre në këtë kompeticion. Mirëpo, në Vlorë as që e diskutojnë kualifikimin për në turin tjetër, ndonëse do të luajnë në transfertë dhe përballë një kundërshtari të fortë siç është Vllaznia. Numri një i pankinës së Flamurtarit, Shkëlqim Muça, është shprehur optimist dhe i bindur për kualifikimin në gjysmëfinalen e kupës. “Është një ndeshje midis dy ekipeve që luftojnë për të realizuar objektivin e tyre për të kaluar në gjysmëfinale. Një fakt i tillë i jep një rëndësi edhe më të madhe kësaj ndeshjeje. Do të jetë vërtet një sfidë e fortë, pasi besoj se asnjëra nga skuadrat nuk do të tolerojë dhe se të dyja do të japin maksimumin, pasi njëra prej tyre duhet t’i thotë lamtumirë kupës. Ne sigurisht do të shkojmë në Shkodër vetëm për ta fituar këtë takim, për të vazhduar kështu luftën në kupë. Jemi të angazhuar për një lojë të bukur dhe të drejtë, ashtu si kemi bërë gjithmonë. Shkojmë të kualifikohemi dhe të bëjmë lojën tonë. Lojtarët duhet të jenë të qetë, madje të rrinë edhe larg ndonjë presioni të mundshëm momental që mund të krijohet në fushë, pasi dihet se është një ndeshje që ‘lan duart’ nga kupa”, ka theksuar tekniku tiranas i vlonjatëve.
Vata beson: I mundim 2-0 vlonjatët
Kur kanë mbetur edhe pak orë nga zhvillimi i sfidës së sotme ndaj Flamurtarit, numri një i pankinës shkodrane, Rudi Vata, nuk e humb për asnjë moment besimin që ka tek të tijtë. Ai është i mendimit se skuadra që drejton, me rikthimin e Smajlit në formacion, mund t’ia dalë mbanë. Shkodranëve u duhen jo pak, por dy gola diferencë që të fitojë këtë përballje, në mënyrë që të jetë në turin tjetër të kompeticionit të Kupës. “Jam i mendimit se gjithçka mund të arrihet në fushë, gjithnjë nëse ke dëshirë, vendosmëri dhe zemër. Ne kemi një skuadër të plotë pas rikthimit të Smajlit. E kësisoj, besojmë se do ta mposhtim Flamurtarin”, ka përfunduar trajneri Rudi Vata.