E Diel, 1 Nëntor 2026

Kaosi në tregun e sigurimit të automjeteve, bien me 10,55 të ardhurat

Funksionimi kaotik i tregut të sigurimit të mjeteve motorike që prej hyrjes në fuqi të ligjit për liberalizimin e këtij tregu po bën që çdo muaj të bien të ardhurat nga sigurimi i detyrueshëm i automjeteve. Të dhënat zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se të ardhurat në sigurimin e detyrueshëm motorik për periudhën janar-nëntor 2011 arritën shifrën 3,461 milionë lekë, ose rreth 10.55% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Produkti MTPL e brendshme, gjatë periudhës janar-nëntor të vitit 2011, pati një ulje prej 24.48% për të ardhurat e shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 3.97% krahasuar me periudhën janar-nëntor të vitit 2010. Produkti Sigurim Kufitar në periudhën janar-nëntor 2011 pati një rritje prej 1.88% për të ardhurat e shkruara bruto dhe një ulje të numrit të kontratave prej 2.21% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Produkti Karton Jeshil në periudhën janar-nëntor 2011 pati një rritje prej 30.54% për të ardhurat, shoqëruar dhe me rritjen e numrit të kontratave prej 39.86% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas të dhënave zyrtare të AMF-së, të ardhurat nga sigurimet në total, në periudhën janar-nëntor 2011, arritën rreth 7 689 milionë lekë, ose 5.27% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjatë periudhës janar-nëntor 2011, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 1 187 467, pothuajse duke dyfishuar numrin e kontratave, e krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të një viti më parë. AMF sqaron se tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar te sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën rreth 87.56% të vëllimit të përgjithshëm të të ardhurave, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 12.22% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.22%.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›