E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lagarde:Ekonomia botërore në rrezik

Shefja e FMN-së Christine Lagarde në një intervistë për mediat franceze ka deklaruar se ekonomia botërore është në rrezik. Ajo u ka bërë thirrje europianëve të flasin në një zë për krizën e borxhit e cila ka lëkundur sistemin financiar botëror.

Sipas Lagarde, takimi Merkel-Sarkozy dhe krerëve të tjerë të Eurozonës, nuk ka sjellë ende asnjë rezultat për krizën. Lagarde është shprehur se Samiti i 9 dhjetorit nuk ishte shumë i detajuar mbi aspektet financiare dhe për më tepër i komplikuar mbi çështjet thelbësore.

Kriza e borxhit, e cila do të vazhdojë edhe në 2012-ën, shton ajo, pas takimit të liderëve europian ka qetësuar vetëm përkohësisht tregjet. “Kriza lidhet me besimin tek borxhi publik dhe në shëndetin e sistemit financiar” ka thënë Lagarde.
 

Liderët europianë shqyrtuan një traktat të ri për një integrim më të madh ekonomik në Eurozonë, por nuk është e sigurt thotë drejtoresha e FMN-së se marrëveshja do të shmangë krizën, e cila e ka origjinën në Greqi në vitin 2009 dhe tashmë po kërcënon edhe dy ekonomitë më të fuqishme të Europës, si Francën dhe Gjermaninë.

Është e nevojshme, sqaron Lagarde, që të gjithë europianët të flasin me një zë për të dhënë një kalendar të thjeshtë dhe të detajuar.
"Investitorët janë në pritje të tyre. Një problem tjetër vijon të mbetet proteksionizmi kombëtar, i cili vështirëson vënien në veprim të strategjive të përbashkëta ndërkombëtare kundër tij" ka shtuar ajo.
 

Gjithashtu Lagarde ka theksuar se kriza ka goditur edhe ekonomitë emergjente, që sipas saj janë promotorët e rritjes ekonomike botërore përpara krizës, si Kina, Brazili dhe Rusia. Këto vende ka, thënë Lagarde, aktualisht po vuajnë faktorët e jostabilitetit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›