Rushaj: Shtyhet me dy muaj falja fiskale, ndihmojmë emigrantët
Financat e argumentojnë shtyrjen e afatit ligjor me dy muaj të rivlerësimit të pasurive, pjesë e ligjit për faljen fiskale, si një ndihmë për emigrantët që jetojnë dhe punojnë jashtë kufijve.
Të gjithë emigrantët që do të vijnë në Shqipëri për festa do të kenë mundësi të rivlerësojnë banesat e tyre për të mësuar sesa vlejnë ato realisht me çmimin e tregut. Dhe taksa për këtë shërbim do të jetë vetëm 1% e çmimit total të banesës. Ndërsa në një moment tjetër, kur ligji për faljen fiskale të mos ishte në fuqi, ata do të paguanin 10% taksë për rivlerësimin e banesës së tyre, në rast se ata do të kishin urgjencë për ta shitur atë, apo në rast transaksionesh bankare për të aplikuar për një kredi të mundshme. Qeveria i ka ardhur në ndihmë edhe një herë komunitetit të emigrantëve, të cilët jetojnë dhe punojnë jashtë kufijve, për të rivlerësuar apartamentet e tyre. “Emigrantët që jetojnë jashtë shtetit, do vijnë për të kaluar festat e fundvitit dhe ne do t’u japim edhe atyre një tjetër mundësi për rivlerësimin e pasurisë. Mund të aplikojnë në janar, shkurt, pra deri në fund të shkurtit 2012, si afti i fundit ligjor i shtyrë për rivlerësimin e pasurive. Ndërsa përsa i përket rivlerësimit të kapitaleve, zv.ministri Alfred Rushaj ka deklaruar se “janë mbi 15 mijë qytetarë që kanë aplikuar, 1 mld lekë tatim i grumbulluar që i korrespondon 100 mld kapital i rivlerësuar, i legalizuar dhe i futur në treg”. Kurse vetëdeklarimi i biznesit në fakt dështoi në këtë proces. Megjithatë, ky komunitet vazhdon të kërkojë nga qeveria shtyrjen e afatit dhe garancinë e vetëdeklarimit, duke këmbëngulur në një ndryshim në ligjin e faljes fiskale. Ndërkaq, parashikohet që muaji janar të ketë një numër të konsiderueshëm emigrantësh që do t’u drejtohen ekspertëve sipas ligjit për të bërë rivlerësimin e pasurive të tyre. Rivlerësimi llogaritet me formulën 1% (çmimin e rivlerësimit-çmimin e blerjes), ndërsa kalimi i pronësisë 10% (çmim reference-çmim blerjeje). Ndërkaq, neni 27 i Ligjit për Faljen Fiskale parashikon që të gjithë shtetasit, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme, kanë të drejtë që brenda afatit të veprimit të këtij ligji të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut. Rivlerësim mund të bëhet nga një ekspert i licencuar për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme nga institucionet përkatëse ose nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Ndërkaq, në rast se shtetasi zgjedh që të bëjë rivlerësimin me një ekspert të licencuar, atëherë aplikimit të tij për rivlerësim të pasurisë së paluajtshme i bashkëlidh dhe aktin e vlerësimit të ekspertit. Nga ana e saj, Zyra përkatëse e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme llogarit diferencën ndërmjet çmimit të kontratës së regjistruar në këtë zyrë dhe vlerës së pasqyruar në akt-ekspertim dhe tarifën që duhet të paguajë shtetasi për të regjistruar këtë rivlerësim. Kurse, në rast se shtetasi zgjedh që rivlerësimi të kryhet nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme me çmimet minimale fiskale, atëherë ky fakt shprehet në aplikimin e tij për rivlerësim dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme llogarit diferencën ndërmjet çmimit të kontratës së regjistruar në këtë zyrë dhe vlerës së dalë nga rivlerësimi me çmimet minimale fiskale, si dhe tarifën që duhet të paguajë shtetasi për të regjistruar këtë rivlerësim. Tarifa që paguhet për regjistrimin e këtij rivlerësimi është 1% e diferencës ndërmjet vlerës së rivlerësimit me vlerën e kontratës së regjistruar në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Në rastet kur pasuria e paluajtshme rezulton e regjistruar pa një kontratë shitjeje, atëherë si vlerë regjistrimi në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme do të tatohen 10 herë më shumë për të fituar hipotekën e shtëpisë së tyre, në krahasim me ata qytetarë që e kanë kontratën e shitblerjes dhe legalizimit të apartamentit. Pra, ata do të paguajnë tatimin e kalimit të pronësisë.