Kapelo: Bekham nuk do të luajë më për Realin

David Bekham nuk do të luajë më me fanellën e Realit të Madridit, pasi ka rënë dakord për një kalim te Los Anxhelos Galaksi (në kampionatin amerikan të futbollit), bëri të ditur dje trajneri italian i "Merenges", Fabio Kapelo. "Bekhami do të stërvitet me skuadrën tonë, por ai nuk do të luajë, - deklaroi Kapelo gjatë një konference për shtyp. - Ai ka qenë gjithmonë një profesionist i vërtetë, por, nëse një lojtar ka nënshkruar një kontratë aq të rëndësishme për një tjetër klub, atëherë unë nuk mund të mbështetem te ai. Nuk mund të kesh të njëjtin entuziazëm kur në mendjen tënde janë të tjera përparësi."
Ai tha se vendimi i Bekhamit për të qëndruar në Madrid deri në qershor, është "vendim që i përket lojtarit, jo klubit". I pyetur nëse ish-kapiteni i Anglisë do të jepej hua gjatë kësaj periudhe 6-mujore të fundit të kontratës së tij, Kapelo u përgjigj: "Këtë pyetje duhet t'ia bëni Bekhamit". Bekhami, i cili vendosi të enjten të mos e ripërtërinte apo zgjaste kontratën e tij me Realin e Madridit dhe ka rënë dakore për një kalim në klubin e kampionatit amerikan të futbollit, kur kontrata e tij të skadojë këtë qershor, shprehu habinë për vendimin e marrë nga klubi spanjoll.
"Përsa i përket Davidit, ai është i ndërgjegjshëm se ai ka një kontratë deri në fund të sezonit dhe ai mbetet po aq i përkushtuar sa deri më tani kundrejt klubit dhe tifozëve të tij, - deklaroi Bekham, nëpërmjet zëdhënësit të tij, Simon Oliveira. - Davidi është i habitur nga deklarata e Kapelos, pasi askush nga klubi nuk e kishte informuar atë për një vendim të tillë."