E Shtunë, 31 Tetor 2026

Redi Jupi, trajner i tipit anglez

Nga ARANIT MURACI
Drejtuesit e ekipeve angleze, ndryshe nga vendet e tjera të Evropës, nuk quhen "trajnerë". Anglezët përdorin për drejtuesit e ekipeve të futbollit një term tjetër, që ka më shumë lidhje me organizatat e biznesit. Aleks Fergusoni është menaxher i Mancester Junajtid, Arsen Venger menaxher i Arsenalit dhe kështu me radhë, të gjithë trajnerët anglezë, në vendin e tyre cilësohen "menaxherë". Fjala e fundit në Shqipëri njihet vetëm si term ekonomik dhe ka lidhje me drejtimin e një ekipi, grupi të caktuar apo organizate biznesi, drejt realizimit të një misioni apo synimi final. Në Angli trajneri është, pra, njëkohësisht menaxher i grupit që drejton dhe ka për detyrë të orientojë me sukses ekipin në fushë gjatë ndeshjeve zyrtare. Dhe për të arritur suksesin në një 90-minutësh gjatë ndeshjes, trajnerit i duhet të merret gjatë gjithë javës për të drejtuar grupin e lojtarëve në stërvitje, madje jo vetëm në stërvitje. Prandaj në Angli trajneri cilësohet "menaxher". Dhe për nga kuptimi i së dytës në Shqipëri termit në fjalë i afrohet trajneri më i ri në moshë, Redi Jupi. Lojtari-trajner i Dinamos i përket kësisoj më tepër stilit anglez, pra është më shumë një menaxher sesa trajner. Dihet se punën si trajner Jupi e mori krejt papritur, pa asnjë përpjekje; përkundrazi, ai ishte lojtar dhe pranoi detyrën e trajnerit me propozim të presidentit Besnik Sulaj. Mirëpo që nga ajo ditë e deri tani te Dinamo, e cila aktualisht po kryen fazën përgatitore të dimrit, mbizotëron një frymë tjetër, meritë për të cilën ka sigurisht Redi Jupi. Trajneri ka ditur të sjellë një atmosferë pothuajse të pëlqyeshme për të gjithë në skuadër, e cila ka ndikuar së pari në rezultate, të cilat, në fund të fundit, janë matës real i punës së gjithsecilit. Gjatë 9 ndeshjeve zyrtare, megjithëse pa eksperiencën e trajnerit, Jupi grumbulloi 15 pikë. Dinamo nën drejtimin e tij fitoi edhe dy ndeshjet e Kupës, duke kaluar në cerekfinale. Niveli i lojës u përmirrua dukshëm. Dinamo humbi dy ndeshje në 11 takime, gjatë drejtimit të Jupit: një në transfertë me Apoloninë dhe një me kryesuesit e Superligës, Tiranën. Në stërvitje kërkues, jashtë saj motivues Lojtarët titullarë të kampionatit shqiptar thonë se në stërvitje Jupi e orienton ekipin sipas metodave që ka parë dhe ka mësuar në kampionatet e huaja gjatë karrierës së tij disavjecare jashtë. Kështu, ai cilësohet kërkues në radhë të parë gjatë stërvitjes dhe kur ka ndeshje, por gjithashtu motivues për të gjithë grupin e lojtarëve që ka në dispozicion. Kapiteni Ilion Lika dhe titullarë të tjerë të Dinamos thonë se përvec punës në stërvitje faktor i rëndësishëm është komunikimi i mirë mes trajnerit dhe lojtarëve. Me disa nga titullarët e Dinamos trajneri ka luajtur sezone më parë dhe njihet, por edhe me të rinjtë e të huajt ai komunikon e merret vesh lirshëm. Të gjithë ndihen më të motivuar për të bërë stërvitje dhe sigurisht për të fituar më tej ndeshjet zyrtare nën drejtimin e Redi Jupit, që është prezent me ta në fushë, si kur ka stërvitje, edhe kur ka ndeshje. Rasti i kroatit Goran Vicetic Goran Vincetic firmosi pak ditë më parë me Dinamon. I pyetur se cilat ishin arsyet që e shtynë atë të firmoste sërish edhe për 18 muaj të tjerë ndërkohë që kishte oferta të tjera, një nga lojtarët më të dalluar të kampionatit shqiptar tha se përvec vlerësimit që i kishin bërë drejtuesit ka ndikuar jo pak roli i trajnerit Redi Jupi. "Atmosfera që ndryshoi te Dinamo, paraqitja e mirë e skuadrës në javët e fundit dhe dëshira për një të ardhme më të mirë ndikuan në vendimin tim të fundit. Redi Jupi ka ditur ta drejtojë mirë ekipin, por përvec të tjerave në komunikim me lojtarët ai tregohet shumë i zoti. Kjo atmosferë e krijuar te Dinamo është meritë e tij", - përfundon Goran Vincetic.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›