E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni i Disiplinës: Oriand Abazaj lojtar i lire

Pas shumë deklaratash nëpër media dhe asaj "rrëmuje" që u krijuar në këtë merkato të janarit përsa i përket sulmuesit të Kastriotit të Krujës, Oriand Abazaj, tashmë gjithcka është zgjidhur. Sulmuesi që është grumbulluar edhe me kombëtaren e Shpresave është lojtar i lirë dhe ka të drejtë të firmosë me cilën skuadër që ai dëshiron. Ky është vendimi që ka marrë dje Komisioni i Disiplinës së Federatës Shqiptare të Futbollit përsa i përket cështjes "Abazaj" që ishte kthyer në një debat mediatik midis presidentit të krutanëve Zhilli dhe babait të lojtarit që është njëkohësisht edhe menaxheri i tij. 1-shi i klubit të Kastriotit pretendonte se Abazaj ishte nën kontratë me skuadrën deri në fund të kampionatit dhe nuk mund të largohej ndërkohë që babai i sulmuesit deklaronte që në kontratë kishte një klauzolë që Abazaj mund të largohej nga Kastrioti nëse do të largohej nga drejtimi i skuadrës trajneri Rramadan Ndreu. Dhe pikërisht KD-ja që dha dje vendimin u mbështet pikërisht në këtë klauzolë që lojtari është i lirë dhe mund të kalojë tek skuadra që ai dëshiron duke qenë se ishte larguar nga drejtimi i skuadrës, trajneri Ndreu. Një fakt të tillë e bëri të ditur zëdhënësi për shtyp i FSHF-së, Lysien Nurishmi. "Në mbledhjen e sotme(dje) të Komisionit të Disiplinës u shqyrtua cështja e sulmuesit të Kastriotit Oriand Abazaj. Pasi u pa me vëmendje i gjithë dokumentacioni, komisioni vendosi që ta lerë të lirë sulmuesin e Kastriotit pasi në kontratë ekzistonte një klauzolë ku thuhej se nëse largohet nga drejtimi i skudrës, trajneri Rramadan Ndreu atëherë Abazaj mund të largohej nga skuadra krutane nëse kishte dëshirë" deklaroi Nurishmi. Ndërkohë që skuadra e re e sulmuesit mund të jetë Tirana pasi bardheblutë e kanë kërkuar me ngulm këtë lojtar dhe tashmë që u shpall i lirë do ta kenë shumë të lehtë që ta afrojnë në ekipin e tyre.
Besar Bozgo

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›