Kapelo sulmohetnga mediat angleze
LONDER-Na ishte njëherë Anglia e mrekullueshme e eliminatoreve, e aftë të arrijë një seri aq pozitive rezultatesh sa t’i bëjë të gjithë tifozët të ëndërrojnë në një sukses në Kupën e Botës. Por, pas ndeshjes me Algjerinë është një Angli pa shpirt dhe mediat në këtë vend nuk kanë kursyer askënd. Te të gjithë ekziston frika se nuk do të kalohet grupi, ndërsa “The Guardian” shkruan “Pa shkëlqim dhe pa shpresë”. “Kllounët e Kejpit”, është titulli ironik i Mirror Sport, ndërsa Daily Telegraph hapet me një titull të vetëm: “Thertore”. Mediat kanë bërë të ditur edhe futjen në dhomat e zhveshjes së një tifozi, i cili kërkonte të kapej me Uejn Runin, por ai është ndaluar nga Devid Bekham. Një moment i tillë ka qenë panorama e zhgënjimit të fansave anglezë, që prisnin aq shumë nga kombëtarja e tyre. Në fakt, sulmuesi i Mançester Junajtid Uejn Runi e ka patur pikërisht me tifozët pas ndeshjes me Algjerinë, duke i akuzuar për fishkëllimat e tyre. “është bukur kur sheh tifozët e tu që të ulërasin dhe të fishkëllejnë”, deklaroi Runi. Por, ai që pritej të ishte trajneri i këtij Botërori, Fabio Kapelo, ka parë për herë të parë se çdo të thotë sulm nga mediat angleze. “Njeriu prej 6 milionë stërlinash është zhgënjimi i vërtetë i kësaj skuadre”, shkruan prestigjiozja Times. Daily Ekspres titullon me të madhe: “Dështimi i Fabios”. Fati i italianit, që ka festuar një nga ditëlindjet më të këqija të jetës së tij të premten në mbrëmje, tani është në fije të perit, siç komenton “Mail”. Vetë Kapelo ka deklaruar pas ndeshjes me Algjerinë se nuk e njeh më skuadrën e tij, e cila tregoi një formë të shkëlqyer në ndeshjet kualifikuese. “Më duhet të shoh se çfarë ka ndryshuar dhe të gjej kurën për ta kthyer Anglinë aty ku ishte. Këto ditë, do të jetë pikërisht kjo detyra ime”, deklaroi Kapelo, tepër i zhgënjyer nga futbollistët e tij. Por, një tjetër personazh në qendër të sulmeve ka qenë Uejn Runi. Gazetat nuk e kanë kursyer aspak për akuzat ndaj tifozëve. “Ru-bu-zela” është titulli i The Sun për sulmuesin që deri pak ditë më parë konsiderohej si më i miri në botë. “Rubish”, është loja e fjalëve e Mirror dhe Daily Star”, ndërkohë që sulmuesi konsiderohet si lojtari më i keq i kësaj Anglie.
(d.b/BalkanWeb)
(d.b/BalkanWeb)