Të shpëtojmë fëmijët
Sistemi komunist ishte unik në modelin e propagandës së tij politike. Në kopësht fëmijët mësonin vjersha mbi partinë, Enverin, partizanët, kundër ballistëve dhe amerikanëve. Në klasat fillore shkruhej me të madhe parulla “dhjetat tona, plumb mbi armikun”. Në çdo shkollë vendoseshin fotot e anëtarëve të Byrosë Politike, e kudo muret mbusheshin me citate të diktatorit. Në çdo klasë funksiononte organizata e rinisë, në nivele më të larta çdo vit shkollor kishte aksione rinore dhe stërvitje ushtarake kundër armikut. çdo 5 maj fëmijët kryenin funksion protokollar në varrezat e dëshmorëve, çdo festë ata zgjidheshin për të recituar apo dhuruar lule udhëheqësve të partisë-shtet.
Në këtë mënyrë gjatë 45 viteve, shoqëria humbi shansin për të krijuar breza të rinj, shpresa të reja. çdo brez më i ri ishte produkt dhe imitim i brezit më të vjetër, madje në dekadat e fundit të diktaturës, pjesa më e madhe e popullsisë kish lindur, ishte rritur dhe edukuar politikisht nën propagandën e regjimit. 20 vitet e tranzicionit sollën arritje e ndryshime të mëdha, por në disa aspekte, siç janë etika dhe sjellja politike e partive dhe liderëve udhëheqës, vijuan skemat dhe format e së kaluarës. Fakti që, tre breza: prindërit tanë, prindërit e tyre dhe vetë ne 20-35-vjeçarët e tranzicionit, jashtë vullnetit të tyre, garojnë për të marrë cilësimin e brezit të humbur, është më se dramatik për një shoqëri.
Të vetmit, të cilët ende kanë shpresë të mos jenë pjesë e brezit të humbur, të bëjnë një jetë ndryshe, të kenë shanse dhe hapësira reale lirie dhe veprimi, janë brezi më i ri, kryesisht ata që sot ndodhen në çerdhe, kopshte, shkolla dhe ndofta edhe në auditoret e universitetit. Kjo është pasuria jonë më e madhe, shpresa e vetme se Shqipëria e dekadave të ardhshme do të jetë shumë më ndryshe nga Shqipëria e varfërisë, dhunës dhe izolimit komunist apo Shqipëria e zhgënjimeve dhe krizave periodike të tranzicionit.
Duke e njohur këtë fakt, sfida jonë më e madhe si shoqëri është ruajtja e këtij brezi nga sëmundjet kronike të së shkuarës, trajtimi i tij të paktën formalisht, me të njëjtat standard si kolegët e tyre europianë, ose siç përcaktohet edhe nga ligji e kushtetuta shqiptare. A po e bëjmë ne këtë? Absolutisht jo. Madje po bëjmë të kundërtën, po tentojmë të krijojmë një brez të ri imitues të brezit më të vjetër, produkt të gabimeve dhe mentaliteteve të tyre. A nuk shohim çdo ditë kronika televizive ku liderë politikë, përfshirë kryeministrin, mbajnë fjalime politike përpara të rinjve 10-15-vjeçarë, u flasin atyre për rrezikun e madh që paraqet opozita politike, u flasin për sukseset e qeverisë, për vizat, për grevat e urisë apo deri edhe për jetën private dhe familjet e kundërshtarëve politikë? A nuk pamë të gjithë në ditën e 1 qershorit, një kryetare parlamenti që u flet 10-vjeçarëve me gjuhën e grupeve armiqësore kundër kundërshtarëve politikë? A nuk pamë ministrin tonë të Jashtëm, një ish-kryeministër, që në takim me 10-12-vjeçarët e Preshevës, u tha atyre se fatkeqësia e Shqipërisë është opozita dhe sjellja e saj? A nuk pamë ditët para dhe gjatë grevës së urisë liderë të së majtës, deputetë e ish-ministra, t’u bënin thirrje të rinjve 15-vjeçarë për bllokime të rrugëve nacionale? A nuk pamë një kryeministër që u flet 18-vjeçarëve për nevojën e shkrirjes, dhe krijimit të një opozite të re? A nuk pamë peticione 14-18-vjeçarësh pro dhe kundër grevës së urisë, natyrisht të përdorur nga partitë respektive? A nuk pamë liderë politikë që në fushatën e 29 qershorit mbushën tribunat dhe sheshet me të rinj 10-15-vjeçarë, të nxjerrë me urdhër nga mësimi? T’i trembësh fëmijët me gogolin e opozitës, armikut, kundërshtarit, diktaturës, mbretërisë së pashpallur etj, njësoj siç i trembin në përralla me shtriga e keqbërës, vetëm humane nuk është! T’u flasësh fëmijëve të vegjël për integrimin, Europën, demokracinë, moshën dixhitale, bashkimin, mirëqenien, reformat dhe njëherësh ta bësh këtë duke sharë e fyer kundërshtarët politikë, emrat apo familjarët e tyre, rezultati dhe mesazhi janë krejt kundërproduktivë. Pra, në vend të Shqipërisë normale, me qytetarë normalë, prijësit tanë politikë promovojnë ndarje, arrogancë, thirrje për përçarje politike midis familjeve, shoqërisë dhe vetë moshatarëve 10-12-vjeçarë! Ky është një kontribut, më së paku, antidemokratik dhe i dëmshëm për shoqërinë.
Të gjithë i shohim, siç të gjithë e dimë se me ligj ndalohet propaganda politike në shkolla; ndalohet përdorimi i mësimit dhe shkollës për qëllime politike dhe elektorale; ndalohet propaganda partiake në kopshte; ndalohet përdorimi i fëmijëve në fushata elektorale; ndalohet përdorimi i fëmijëve në spote televizive pa lejen e prindërve të tyre; ndalohet përdorimi i gjuhës së ashpër, fyerjes dhe kërcënimeve në komunikim me fëmijët; ndalohet me ligj nxitja e dhunës, përfshirë edhe dhunës verbale ndaj kujto, përfshirë kundërshtarët politikë etj. Të gjitha ndalohen, të gjitha ndodhin çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, çdo vit. Dhe ironikisht, autorë janë pikërisht ata që bërtasin më shumë së kushdo tjetër për ligjin, Kushtetutën, shoqërinë e vlerave dhe Shqipërinë Europiane.
Politika mori gjithçka që u përkiste qytetarëve, edhe pse flet në emër të tyre, duke e shndërruar sistemin tonë politik nga modeli i një partie–shtet, në modelin e partisë(së radhës)-shtet. Klasa e jonë politike nuk mbrojti dot vlerat morale, nuk mbrojti dot lirinë, nuk mbron dot demokracinë funksionale, nuk garanton pronën private, liritë politike, votat e qytetarëve, frymën kushtetuese, ligjin dhe simbolet kombëtare. Në një të ardhme jo të largët, ne mund t’i humbim të gjitha, disa mund t’i fitojmë ose përmirësojmë më vonë, por në çdo rast humbja më e madhe dhe që nuk mund të fitohet më, është nëse ne humbim brezin e ri, shanset për një brez të ndryshëm, të lirë, të hapur, qytetar dhe europian.
Sa nuk është vonë, të gjithë duhet t’i japin fund heshtjes, pajtimit me realitetin që na imponohet dhe të bëjmë diçka konkrete për të shpëtuar fëmijët nga politika dhe politikanët e mbrapshtë; për të shpëtuar fëmijët nga trysnitë dhe interesat politike; për të shpëtuar zyrat e shtetit nga shndërrimi në zyra agjitacioni mbi fëmijët; për të edukuar fëmijët, jo me konceptin e luftës së klasave dhe ndarjeve biografike, por me sensin e respektit për institucionet e individit dhe të drejtave e përgjegjësive të tij qytetare; më tej, për të shpëtuar kopshtet, shkollat dhe universitetet nga përpjekjet e partive dhe politikës për t’i shndërruar ato në anekse elektorale dhe propagandistike. Kjo duhet të jetë diferenca reale midis mentaliteteve të diktaturave dhe të demokracisë, midis sjelljes europiane dhe sjelljes bajraktare shqiptare, midis politikave integruese dhe atyre penguese, midis Shqipërisë që rrit breza të shanseve të humbura dhe Shqipërisë që duhet të krijojë shanse për brezat e rinj.