Kapen 3.5 kg heroinë, në pranga një turk dhe dy shqiptarë
Lënda narkotike dyshohet se vinte nga Turqia dhe kishte si destinacion tregun e brendshëm. Operacioni për sekuestrimin e heroinës u zhvillua paralelisht në Korçë dhe Tiranë
Tiranë Një shtetas turk së bashku me dy shqiptarë janë arrestuar përgjatë një operacioni antidrogë të shtrirë në qytetet e Korçës dhe Tiranës. Në përfundim të operacionit të organizuar nga Departamenti Kundër Krimit të Organizuar, është bërë i mundur sekuestrimi i sasisë prej 3.5 kilogramë lëndë narkotike, e dyshuar si heroinë. Policia e Shtetit tha zyrtarisht se operacioni është organizuar dy ditë më parë, paralelisht në qytetin e Korçës dhe Tiranë, ku është kryer arrestimi i shtetasit turk Vebi Alioglu, 37 vjeç, me banim të përkohshëm në kryeqytet dhe dy bashkëpunëtorëve të tij Edmond Gërxhani, 38 vjeç, i dënuar më parë për falsifikim të dokumenteve; dhe Abdulla Kili, 41 vjeç, me banim në kryeqytet. Sipas policisë, operacioni ka nisur rreth orës 16:40 të së premtes, në pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticë, kur është bërë i mundur ndalimi i 38-vjeçarit Edmond Gërxhani. Arrestimi i tij u krye pasi gjatë kontrollit të bagazheve iu gjet e sekuestrua një sasi prej rreth 2 kg e 392.4 gram lëndë narkotike e dyshuar heroinë. Më pas policia ushtroi kontroll edhe në banesën e tij në kryeqytet, ku u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, tip “Zastava”, të cilën i dyshuari e mbante pa leje. Paralelisht me ndalimin e kryer nga policia kufitare e Korçës, antidroga e kryeqyteti ka mundur të arrestojë dy persona të tjerë, të dyshuar si bashkëpunëtorë të Gërxhanit. “Në vijim të operacionit, strukturat e Policisë së Shtetit bënë të mundur kapjen në një banesë në Tiranë të shtetasve Abdulla Kili dhe Vehbi Alioglu, të cilëve gjatë kontrollit të ushtruar iu gjet e sekuestrua një sasi prej rreth 1 kg e 38 gram lëndë narkotike e dyshuar heroinë”- tha dje Policia e Shtetit. Sipas hetimeve, rezulton se sasia prej 3.5 kg lëndë narkotike e dyshuar si heroinë është në pronësi të tre shtetasve. Dyshimet e para tregojnë se ajo mund të jetë futur në Shqipëri nga shtetasi turk Vehbi Alioglu, i cili ishte me banim të përkohshëm në Tiranë, me qëllim tregtimin e saj në kryeqytet. Dy shqiptarët, dyshohet se janë pjesë e rrjetit që tashmë ndjek linjën e njohur të trafikut të heroinës Turqi-Shqipëri, por gjithçka do të zbardhet nga hetimi i mëtejshëm. Mësohet se dosja hetimore ndaj tre të arrestuarve tashmë është marrë nga Prokuroria për Krime të Rënda, pasi dyshohet se shtetasi turk në bashkëpunim me dy shtetasit shqiptarë mund të jenë pjesë e një linje ndërkombëtare të narkotrafikut. Hetimet për këtë çështje nisën fillimisht pas informacioneve operative që policia arriti të sigurojë për tre të dyshuarit, të cilët janë mbajtur në vëzhgim nga ana e agjentëve dhe oficerëve të drejtorisë kundër krimit të organizuar. Deri tani është bërë e mundur të përcaktohet se lënda narkotike është futur në Shqipëri në dy pjesë të ndryshme dhe paraprakisht dyshohet se kishte si destinacion tregun vendas.
Të arrestuar
Edmond Gërxhani, 38 vjeç
Abdulla Kili, 41, vjeç
Vebi Alioglu, 37 vjeç, shtetas turk
Të sekuestruara
3 kg e 430 gram heroinë
1 armë pistoletë tip “Zastava”
4 telefona celularë
Një automjet me targë TR 9417 K.