E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbytet në liqen nëna e dy fëmijëve, dyshime për vetëvrasje

32-vjeçarja Valentina Dautllari, nëna e dy fëmijëve, ishte zhdukur që prej 24 orësh nga banesa e saj në fshatin Sovjan të rrethit të Korçës. Një 51-vjeçar gjendet i vetëvarur në bodrumin e shtëpisë

Pogradec Trupi i pajetë i një gruaje është gjendur mëngjesin e djeshëm në liqenin e Pogradecit. Sipas policisë, mësohet se kalimtarë të rastit kanë zbuluar në orët e para të mëngjesit të të shtunës trupin e pajetë të një gruaje, ndërsa dyshimet e para të policisë tregojnë se ngjarja mund të ketë qenë fetëflijim. Kufoma e seksit femër është identifikuar me vështirësi disa orë pas gjetjes së saj. Duke iu referuar të njëjtave burime zyrtare, mësohet se trupi i pajetë u gjet në vendin e gjuajtur “Oktapodi”, vetëm pak metra larg qendrës së qytetit. Nga hetimet paraprake, policia ka bërë me dije për gazetën “Mapo” se kufoma e seksit femër është shtetësja Valentina Dautllari, 32-vjeçe, nënë e dy fëmijëve. Gruaja që është me origjinë nga Stropska e Pogradecit ishte martuar dhe jetonte në fshatin Sovjan të rrethit të Korçës. Valentina Dautllari ishte larguar nga banesa afro 24 orë më parë, teksa ka zgjedhur të vetëmbytet në liqenin e Pogradecit, për t’i dhënë fund jetës së vet. Mendohet që gruaja nënë e dy fëmijëve të vegjël të ketë kryer aktin e saj afër mesnatës së kaluar. Ditët e fundit ajo ndodhej në një gjendje të rënduar psikologjike, çka përforcon dyshimet e policisë për pistën e vetëmbytjes. Gjithsesi, hetimet për këtë rast vazhdojnë, ashtu sikurse dhe për një tjetër rast fatkeq të regjistruar në fshatin Zalltore në Pogradec. Nexhmi Hyko i ka dhënë fund jetës duke u vetëvraur në litar në bodrumin e shtëpisë së tij. Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë, teksa familjarët, pasi nuk e kanë gjetur të afërmin e tyre askund në shtëpi dhe mandej në të gjithë fshatin, e kanë kërkuar atë pafund duke e gjetur më pas të vdekur në bodrumin e shtëpisë. 51-vjeçari Hyko, thonë të njëjtat burime zyrtare, kishte disa kohë që vuante nga probleme të shëndetit mendor, për të cilat merrte mjekime. Megjithëse ka qenë nën mbikëqyrjen e familjarëve të tij, ata nuk kanë mundur ta shpëtojnë dot atë. Për të dyja ngjarjet e dhimbshme policia e shtetit ka nisur hetimet përkatëse. Me rastet tragjike të fundit, numri i të vetëflijuarve në qarkun e Korçës nga muaji janar i këtij vitit shkon në 24 viktima, një nga numrat më të lartë të vdekjeve me vetëflijim. Ky është numri më i lartë i vetëvrasjeve për pesë vitet e fundit në këtë pjesë të Shqipërisë, ndërsa treguesit, për fat të keq, sipas specialistëve janë përherë në rritje.

I. Vreto

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›