E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapen 5 kg heroinë, arrestohet korrieri

DURRES- Një sasi tjetër droge u sekuestrua mbrëmë në portin e Durrësit. Rreth orës 22:00, Policia Kufitare në bashkëpunim me strukturat e Antidrogës në Drejtorinë e Policisë së këtij qarku bllokuan 5 kg lëndë narkotike të llojit heroinë.

Pas informacioneve të sakta të siguruara në rrugë operative, blutë kanë ndaluar tek pika e kontrollit një automjet tip kamionçinë.

Gjatë kontrollit të imtësishëm të mjetit dhe konkretisht tek gomat u gjet e fshehur sasia e lëndës narkotike. Burime nga policia lokale pohojnë se droga, e cila kishte si destinacion Italinë ishte e paketuar dhe e mbështjellë me letër natriban.

Pas sekuestrimit të mallit është vënë në pranga drejtuesi i mjetit, i cili akuzohet për "trafik të lëndëve narkotike".
(m.a/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›