E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri gjerman Schäuble: Ne nuk jemi të pashpirt

BERLIN - "Ne nuk jemi kokëfortë apo të pashpirt. Unë e kuptoj frikën e popullit grek. Ne kemi përgjegjësi jo vetëm ndaj Parlamentit gjerman, por edhe ndaj taksapaguesve tanë", tha Ministri gjerman i financave Wolfgang Schäuble në një intërvistë për gazetën gjermane «Hannoversche Allgemeine Zeitung». 

Intervista u publikua një ditë pas deklaratave të presidentit Papulias, dhe ministri gjerman i financave, deklaron midis të tjerash: 

"Ne jemi jo vetëm për shpëtimin e Greqisë, por edhe për ruajtjen e monedhës sonë të përbashkët. Askush nuk mund të parashikojë reagimet, nëse Greqia nuk i realizon detyrimet në drejtim të borxhit. Kjo na detyron të ndihmojmë Greqinë për t'i përmbushur detyrimet e veta", ka thënë ministri gjerman.

"Unë jam në favor të solidaritetit dhe ndihmës. Megjithatë, fuçia duhet të ketë një fund", shton ai.

I pyetur në lidhje me reagimin në Greqi, trazirat e fundit dhe krahasimin me politikat gjermane të regjimit nazist, z. Schäuble tha se gjithmonë kërkohen “koka turku”. 

"Sigurisht ka demagogë në Greqi, të cilët thonë se fajtor për situatën e tanishme është Gjermania, Evropa është fajtor, fajtor janë të gjithë të tjerët. Por kjo është e papërgjegjshme dhe unë urrej të abuzojnë me disa protesta legjitime për t'u angazhuar në akte dhune".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›