E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapen armë të dedikuara për opozitën siriane

Raportet thonë se zyrtarët e inteligjencës libaneze po i marrin në pyetje disa anëtarë të ekuipazhit, të cilëve në anijen e tyre u janë gjetur armë, që dyshohet se po dërgoheshin për kryengritësit në Siri.

Armata libaneze tha se anija “Lutfullah II”, që po lundronte me flamur të Sierra Leones kishte brenda kontejnerë me armë automatike, granata, lansues raketash dhe armë të tjera. Anija thuhet se po lundronte nga Libia.

Autoritetet e Sirisë vazhdimisht kanë thënë se armët po kontrabandohen nga Libani për kryengritësit që luftojnë regjimin e presidenti Bashar al-Assad.

Në zhvillime tjera, Kombet e Bashkuara theksuan se kreu i ri i misionit monitorues në Siri, është nisur për në Damask.

Zëdhënësi i misionit, Niiraxh Sing, iu tha gazetarëve se gjenerali Robert Mud, një paqeruajtës veteran norvegjez, pritet të arrijë në Siri, ku do të shërbejë si shef i trupit ushtarak vëzhgues të OKB-së.

Ai ka shërbyer dy here në kuadër të forcës ndërkombëtare në Kosovë në mes të vitit 1999 dhe 2002. Këshilli i Sigurimit i OKB-së vendosi që të dërgojë 300 monitorues, për të vëzhguar armëpushimin e shpallur më 10 prill.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›