Policia e Irlandës së Veriut zbuloi 270 kg eksploziv
Në një komunikatë, mësohet se ndonëse sinjalizimi ishte marrë ditën e premte, autoritetet nuk bënë publik lajmin gjatë çaktivizimit të bombës për të mos krijuar panik.
Dy vjet më parë, një autobombë e mbushur me një sasi dy herë më të vogël eksplozivi shpërtheu në një zonë të izoluar të qytetit të Newrit, duke shkaktuar dëme të rënda materiale.
IRA (Irish Republican Army), e konsideruar një organizatë terroriste nga Britania dhe shumë vende të tjera në botë, mori atëherë përsipër autorësinë dhe kjo bën që shtypi irlandez të gjejë një lidhje të qartë mes dy ngjarjeve.
IRA është një organizatë që bashkon radikalë irlandezë, të cilët kërkojnë largimin e Irlandës së Veriut nga sovraniteti britanik dhe bashkimin e ishullit në një shtet të vetëm.
”Është një fat që arritëm të lokalizojmë bombën në kohë, pasi në qoftë se ajo do të kishte shpërthyer, do të kishte shkaktuar dëme me të vërtetë serioze”, deklaroi një zëdhënës i policisë.
”Duke përllogaritur forcën e saj, çdo njeri që do të ishte gjendur në një rreze prej 50 metrash në momentin e shpërthimit do të kishte vdekur”, shtoi ai.