E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapen dy të dyshuar për vrasjen e Roland Rexhepit

Policia identifikon vrasësit nga provat në vendngjarje. Shkaku i krimit, grindja e vjetër në kohën kur Rexhepi ishte polic


ELBASAN- Pas një pune tre ditore policia e Elbasanit ka arritur në dy të dyshuarit kryesorë si autorë të vrasjes së ish-agjentit të antidrogës, Roland Rexhepi. Mbrëmjen e djeshme policia ka pohuar zyrtarisht se të dyshuarit për vrasjen që tronditi qytetin e Elbasanit pak ditë më parë janë shtetasit Armand Llakaj, 33 vjeç, lindur e banues në lagjen "Haxhiaj" të qytetit të Elbasanit dhe Arben Jaçe, 28 vjeç, lindur në Përmet dhe banues në Tiranë. Shkaku i krimit të rëndë është një konflikt i vjetër mes Rexhepit dhe dy të arrestuarve në kohën kur ai ishte agjent policie.

Dy personat e ndaluar dyshohet se mëngjesin e së mërkurës kanë qëndruar fillimisht në një furgon dhe më pas të maskuar me kaska motori ngjyrë të zezë dhe të armatosur me kallashnikov kanë qëlluar me dy breshëri 13 plumba mbi ish-agjentin Roland Rexhepi teksa ky i fundit po nxirrte automjetin nga garazhi. Kanë qenë provat dhe gjurmët që kanë dërguar agjentët tek dy emrat e akuzuar pasi janë shoqëruar një numër i madh personash në polici. Grupi hetimor i çështjes është treguar tepër i rezervuar deri në mbërritjen e konfirmimit për krahasimin e plotë të provave dhe të dëshmive të grumbulluara.

Vetëm një ditë më parë, agjentët e policisë kishin arritur të ngushtonin rrethin e të dyshuarve duke mbërritur në numrin 12 për të shoqëruarit e pyetur mbi ngjarjen. Ato që kanë ndihmuar mjaft agjentët kanë qenë provat e grumbulluara të cilat kanë qenë të mbushura me shenja dhe gjurmë. Pak minuta pas ngjarjes, janë bllokuar në cilësinë e provës materiale një automatik model 56 kalibri 7.62 mm, dy maska, një furgon mallrash i tipit Renault pa targa, një motor me ngjyrë të zezë i markës Lifan pa targa, 13 gëzhoja fisheku model 56 e kalibrit 7.62 mm dhe një aparat celular. Ndërkohë janë dërguar shumë materiale për analizim shkencor në Laboratorin Kriminalistik. Po kështu konfirmohet se personat kanë përdorur drogë para se të kryenin krimin nga provat e grumbulluara brenda furgonit ku ata kanë qëndruar.

Të dyshuarit janë pyetur për orë të tëra mbi vendndodhjen dhe veprimet e tyre ditën e vrasjes së "Dodës". Megjithëse nga dëshmitë nuk ka pasur shumë informacion, agjentët kanë pikasur fillimisht Llakajn si një kontingjent me precedentë. 33- vjeçari kishte qenë një herë i dënuar për bashkëpunim në vrasje me tetë vjet heqje lirie në vitet 98-99. Kjo ka bërë që hetimet të përqendrohen tek ai. Llakaj lëvizte me një motor të vogël ngjyrë të zezë të targuar. Nga burime hetimore Armand Llakaj dyshohet se ka qenë pikërisht ky që mund të ketë qëlluar me kallashnikovin mbi ish-agjentin Rexhepi.

Por dyshimet janë ende të pa konfirmuara deri në përfundimin e analizave kriminalistike dhe krahasimit të provave të grumbulluara. Aktualisht përjashtohet pista e vrasësit me pagesë apo të porositur megjithëse hetimet janë në vazhdim. Grupi hetimor i ngritur nga Drejtoria e Policisë në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit Gjyqësor Elbasan ka arritur të ngushtojë rrethin e të dyshuarve brenda tre ditësh.

Vrasja e ish- agjentit të antidrogës Roland Rexhepi tronditi jo vetëm familjen dhe të afërmit, ish-kolegët por të gjithë qytetin e Elbasanit. Krimi i regjistruar në një orë mjaft të populluar me shumë të shtëna ka alarmuar banorët e lagjes Vullnetari. "Doda" siç njihej nga të gjithë Roland Rexhepi, u vra në derën e garazhit me dy breshëri kallashnikovi para syve të nënës.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›