Mot jo i mirë për teatrin
Drejtori i festivalit të teatrit në Seul, Kim Chul-Lee, tregon për mënyrën se si zhvillohet një festival në Seul, problemet që ka teatri i vendit të tij dhe ai botëror.
Lee: "Teatri ka shumë armiq"
Kim Chul-Lee është drejtori artistik i Festivalit të Teatrit "Seoul Performing Art Festival" në Kore. Që prej shtatë vitesh detyra kryesore e tij është t'i bjerë rreth e përqark botës për të përzgjedhur shfaqjet pjesëmarrëse të festivalit korean të teatrit, SPAF. Stacioni i radhës ishte Festivali i Teatrit në Butrint. Për gjatë pesë mbrëmjeve, Lee qëndroi i ulur në të njëjtin vend, (përballë skenës antike të Butrintit) dhe vëzhgoi me vëmendje prurjet e "Butrint 2000". Sigurisht që pesë shfaqjet e festivalit shqiptar iu dukën pak në krahasim me 35 që ka në program SPAF-i, por ky nuk është një tregues cilësie më shumë se sa një tregues financash. Kjo është e vetmja gjë për të cilën Lee bën një koment, ndërsa hesht për pjesën tjetër të festivalit.
Në vendin e tij, në Kore, Lee njihet edhe si aktor, regjisor, përkthyes i pjesëve teatrore dhe të gjitha këto janë elemente që e kanë bërë të ketë një gjykim të aftë për teatrin që bëhet sot në botë. Në një intervistë të shkurtër për "Shekulli"-n, Kim Chul-Lee tregon për mënyrën se si zhvillohet një festival në Seul, problemet që ka teatri i vendit të tij dhe ai botëror.
Z. Lee, si do ta prezantonit festivalin tuaj për publikun shqiptar?
"Seoul Performing Arts Festival" (SPAF), është një festival që është i fokusuar në dancin kontemporan dhe teatrin. Çdo vit ne ftojmë, për rreth një muaj në Seul, 30-35 shfaqje nga e gjithë bota. Për të gjetur shfaqje më të mira për publikun korean, mua më duhet të udhëtoj në të gjithë botën.
Ju thatë se për të përzgjedhur, këto shfaqje i shihni me syrin tuaj, por cili është kriteri i përzgjedhjes?
Në këto katër vitet e fundit unë kam qenë në rreth 30 festivale në të gjithë botën. Preferoj të shkoj t'i shoh vetë shfaqjet përpara se të marr një vendim dhe në rastin e teatrit, kriteri i përzgjedhjes është shumë i thjeshtë: duhet të jetë një shfaqje e mirë. Por çfarë është një shfaqje e mirë? Mund të tingëllojë paksa e çuditshme, por duhet të jetë një shfaqje që të ketë lidhje të forta me jetën e përditshme. Nëse është një punë e mirë në këtë kuptim, atëherë shfaqja do të jetë një stimul i mirë për teatrin korean.
Sa i vjetër është festivali juaj, z. Lee?
Është pak më i ri se Festivali i Butrintit. Këtë vit do të zhvillohet edicioni i nëntë i tij. "Seoul Performing Arts Festival" (SPAF) është një aktivitet që zgjat një muaj dhe këtë vit do të zhvillohet për gjatë 5 javëve, nga mesi i tetorit deri në mes të nëntorit.
Ju keni ndjekur të pesë shfaqjet e Festivalit të Teatrit në Butrint. Cila prej tyre ju ka goditur më tepër?
Unë kam parë pesë shfaqje. Nuk është e thjeshtë për mua të jap një mendim për festivalin. Ajo që mund të them është se festivali m'u duk shumë i vogël (më thanë se kjo ndodhi për shkak të financave të pakta) dhe kjo është e trishtueshme. Kjo është vizita ime e parë në Shqipëri dhe më erdhi keq që nuk pashë asnjë shfaqje shqiptare.
Thatë se Festivali i Butrintit ju duk i vogël. Sa është buxheti i festivalit tuaj që mikpret 35 shfaqje nga gjithë bota?
Buxheti ynë për vitin e kaluar ishte rreth 1.1 milionë dollarë. Normalisht, për të zhvilluar një festival të të tilla përmasave, duhen të paktën 3 milionë dollarë. Dhe meqenëse ne nuk mund të ngushtojmë buxhetin për shfaqjet që ftojmë, kemi gjetur një formë tjetër. Gjithë puna organizative për realizmin e festivalit bëhet në mënyrë vullnetare. Ato financa që kemi na vijnë nga Byroja e Kulturës dhe e Turizmit, Komiteti Korean për Kulturën dhe Artin dhe Fondacioni i Seulit për Artin dhe Kulturën, sigurisht, edhe nga sponsorë të ndryshëm.
Ju përmendët se SPAF-i është një festival që fokusohet tek teatri dhe dance teatri. A mendoni se dance teatri po eklipson pak nga pak teatrin, po e çon atë drejt vdekjes?
Unë do të thosha që po e ndryshon. Modeli i vjetër, stili i vjetër i teatrit po vdes në një farë kuptimi, por një lloj i ri teatri me rrënjë në teatrin e vjetër po merr formë. Kështu që do ta cilësoja si një ndryshim, jo si një vdekje. Nëse teatri reflekton shoqërinë dhe tregon natyrën njerëzore në mënyrë korrekte, mund të quhet një ndryshim pozitiv, edhe nëse stili është i ndryshëm nga ai i teatrit të vjetër.
Si funksionon bota e teatri në Kore?
Në Seul ne kemi një lagje, në të cilën janë vendosur shumë teatro, njësoj si Broduei në Nju Jork. Në këtë lagje ka rreth 130 teatro të vogla, ndërsa në të gjithë qytetin janë rreth 150 teatro. Por, sipas mendimit, situata në të cilën ndodhet teatri në Kore është për të ardhur keq, sepse pjesa më e madhe e shfaqjeve janë si soap operat e kanaleve televizive amerikane, paraqesin një jetë të vogël ordinere. Unë nuk mendoj se ky është subjekti kryesor i teatrit. Megjithatë, tani po duket një fluks i mirë regjisorësh të rinj, të cilët po përpiqen të kapërcejnë këtë situatë të papëlqyeshme.
Thatë se udhëtoni në të gjithë botën për të zgjedhur shfaqjet për festivalin e Seulit, kjo do të thotë se jeni dëshmitar i asaj çka ndodh sot në gjithë skenat e botës. Si do ta përshkruanit gjendjen e teatrit botëror sot?
Nuk është një periudhë e mirë për teatrin. Mund të them se sot teatri ka shumë "armiq" si, filmat, televizioni, interneti. Do të ishte mirë që këta t'i konsideronim si kolegë, pasi ajo çfarë ata duan t'i tregojnë publikut dhe shikuesve, janë aspektet e vërteta të jetës dhe të njëjtën gjë bën edhe teatri. Kështu që neve na duhet të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, në një farë mënyre, të bashkekzistojmë. Sepse bota po ndryshon dhe nuk mund t'i injorojmë, na duhet të gjejmë një mënyrë për të bashkekzistuar.