Kapen gjysëm toni hashash në Durrës

Forcat e sektorit të Antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Durrësit kanë sekuestruar mbrëmjen e së premtes 500 kg hashash, që kishte si destinacion Malin e Zi. Ndërkohë, janë vënë në pranga dy persona dhe janë shpallur në kërkim tre të tjerë. Burime zyrtare nga policia lokale, bëjnë me dije se sasia e madhe e lëndës narkotike që vinte nga fshati Lazarat u bllokua në plazhin e Durrësit gjatë operacionit të koduar “Sfida”. Në pranga kanë përfunduar transportuesit e drogës: 32-vjeçari Ervis Bardhi nga Elbasani, si dhe 37-vjeçari Gentian Malindi nga Durrësi, të cilët akuzohen për “trafik të lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim”, transmeton Gazeta Shqiptare.
Rreth orës 20:00 të së premtes, inspektorët e Antidrogës kanë ndaluar për kontroll në plazhin e Durrësit furgonin tip “Benz” me targa AA 938 AE, në të cilin udhëtonin 32-vjeçari Bardhi dhe 37-vjeçari Malindi. Mësohet se gjatë kontrollit të ushtruar, brenda mjetit është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale sasia prej gjysmë toni kanabis sativa, që ishte fshehur në thasë dhe në çanta. Menjëherë blutë kanë arrestuar dy personat e mësipërm. Gjithashtu, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa aparate celulare dhe një shumë parash.
Sipas burimeve policore, sekuestrimi i 500 kg hashash u bë i mundur pas hetimeve intensive të bëra gjatë një muaji. Hetuesit e çështjes sqarojnë se pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për aktivitetin e paligjshëm të Ervis Bardhit dhe Gentian Malindit, ata u vunë nën survejim që një muaj më parë. Po të njëjtat burime sqarojnë se tre personat e shpallur në kërkim janë banorë të zonës së Gjirokastrës.
Droga e marrë në Lazarat të Gjirokastrës do të transportohej nga Durrësi drejt Tiranës e pastaj drejt Malit të Zi në rrugë tokësore. Grupi i trafikantëve ka shfrytëzuar mbrëmjen e së premtes, gjatë kohës që të gjithë kanë qenë të fokusuar tek ndeshja e futbollit Shqipëri-Norvegji, për të bërë transportin e drogës. Materialet në ngarkim të Ervis Bardhit dhe Gentian Malindit iu përcollën për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë./Indeksonline/