E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet “sipas dinamikës, vetëm 105 marrin leje

Procesi i legalizimit, i filluar dy vjet më parë,sipas komunarëve është duke shkuar sipas dinamikës dhe nuk ka asnjë pengesë ndërsa partitë opozitare këtë proces e quajnë të dështuar. Nga 6158 aplikacione të paraqitura nga qytetarët në sektorin e legalizimeve për legalizim të objekteve të ndërtuara para “ditës D” kur ishte bërë incizimi satelitor, sipas zyrtarëve komunalë deri tash janë trajtuar 2.900 lëndë, nga to disa të zgjedhura e disa të pakompletuara.

“Numri i objekteve që kanë marrë leje për legalizim nga Drejtoria për Urbanizëm është 105, do të thotë janë ato për të cilat janë kryer të gjitha procedurat si nga aplikuesit po ashtu edhe nga Komuna”, njoftoi Hazir Zhitia, shef në sektorin e legalizimeve në Komunën e Prishtinës.

Sipas tij, këto 105 që janë legalizuar janë objekte të llojllojshme duke filluar nga pjesa dërrmuese që janë individuale, afariste,etj. Sipas tij, ky proces është duke shkuar sipas dinamikës sepse nuk është i thjeshtë. Përkundrazi, është një proces i ndërlikuar, sepse i bie të trajtojnë objekte të ndërtuara pa kritere dhe norma teknike ndërkaq nga aspekti hapësinor të ndërtuara jo sipas normave urbane.

“Procedurat nuk varen vetëm nga ne si zyrtarë, por në masë të madhe varen nga procedurat administrative, gjyqësore e deri te kompletimi i dokumentacioneve valide dhe dorëzimi i projekteve kryesore me analizat e mendimet e profesionistëve, që janë obligim i aplikuesit si dhe refuzimet për ata që nuk i plotësojnë kushtet”,tha ai.

Sipas tij, ky proces do të vazhdojë dhe se kur do të kryhet ende nuk mund të thuhet. “Është një proces i gjatë krahas numrit të madh të kërkesave si dhe procedurës voluminoze ligjore. Nuk mund te themi se kur do të përfundojë por mund të themi se ekipet tona profesionale janë të mobilizuara në realizimin dhe trajtimin e çdo kërkese të aplikuesve”,tha ai .

Ndryshe deklarojnë disa nga partitë opozitare në Asamblenë Komunale. “Komuna e ka shkel ligjin duke filluar këtë proces, duke u bazuar vetëm në një rregullore komunale, ende pa u miratuar Ligji për Ndërtim nga niveli qendror”, tha Shemsi Veseli, shef i grupit parlamentar të PDK-së. Sipas tij, për të bërë një legalizim të tillë, duhet që së pari Komuna të ketë një grup të ekspertëve në këtë lëmë, të cilët duhet të dalin në terren dhe të shohin për së afërmi gjendjen e objektit, ku është ndërtuar , projektin etj. e jo të japin leje kuturu, shkruan zëri.

Për atë që dëgjohet nga komunarët, se procesi po shkon sipas dinamikës, Sadri Ramabaja, nga Lëvizja VV, thotë se është banale. “Ky proces është i dështuar. Ato legalizime nuk qëndrojnë, sepse janë bërë pa u bazuar në Ligjin për ndërtim”, tha ai./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›