E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapen prokurorët mashtrues, premtuan lirinë për 5000 euro

TIRANE- Dy persona janë arrestuar teksa tentonin të përvetësonin një shumë prej 5 mijë euro familjarëve të një të dënuari, në këmbim të lirimit nga burgu. Ata janë prezantuar si prokurorë të Krimeve të Rënda.
Të arrestuarit janë Renato Pervaza nga Shkodra, i proceduar më parë për "mashtrim" dhe "falsifikim të dokumentave", si dhe 46 vjeçarin nga Lezha, Mark Paloka.

Arrestimi i tyre është bërë, në kuadër të një operacioni të Policisë së kryeqytetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit, teksa po tentonin të merrnin shumën e parave.

Sipas policisë ata ishin prezantuar si Prokurorë i Krimeve të Rënda dhe i kanë premtuar një familje lirimin e një të burgosuri, i cili vuante dënimin në Burgun e Shënkollit, në këmbim të 5000 eurove.

Sipas Policisë, këta shtetas dyshohen se kanë përfituar edhe shuma të tjera, duke mashtruar edhe qytetarë të tjerë. Policia i fton qytetarët që mund të jenë dëmtuar nga këto shtetas, të paraqiten për të depozituar kallzimet e tyre pranë Sektorit Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›