E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet anëtari i Bandës së Durrësit. Kanosi RENEA-n

Një tjetër anëtar i të ashtuquajturës banda e Lul Berishës është arrestuar mbrëmë në qytetin e Durrësit. Operacioni i policisë i koduar “Dara” prangosi 30 vjecarin qe tentoi të qëllonte mbi RENEA por është bllokuar menjëherë 

DURRES- Është arrestuar mbrëmë në qytetin e Durrësit, Edmond Koci i njohur si anëtar i bandës së Lul Berishës. Arrestimi është kryer nga forcat e policisë së qytetit bregdetar në bashkëpunim me forcat speciale RENEA.

30 vjecari i njohur më shumë me emrin Edmond Cekici në momentin e arrestimit ishte orvatur të qëllonte me pistoletë mbi policët e RENEA-s, por ishte bllokuar menjëherë.

Operacioni i koduar “Dara” u zhvillua në një nga lokalet Eurolloto, në lagjen nr. 16 të qytetit bregdetar.

I riu u prangos për akuzën e “vrasjes së mbetur në tentativë" por burime nga Drejtoria e Policisë së Durrësit bëjnë të ditur se arrestimi i tij i hap rrugën hetimeve të reja mbi disa vrasje të vitit të fundit në zonën e Spitallës dhe në lagjen 1 të qytetit, ku mendohet se 30 vjecari Edmond Koci (Cekici) ishte përfshirë.

Forcat e policisë sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe pistoletën me 9 fishekë, me të cilët Koçi tentoi të qëllojë forcat speciale. Në dosjen e tij do të shtohet edhe akuza e “mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.

Në Gjykatën e Krimeve të Rënda aktualisht zhvillohet një proces gjyqësor në ngarkim të të akuzuarve si anëtarë të Bandës së Durrësit. Sipas policisë në krye të bandës ishte Lulzim Berisha, edhe ky në gjendje arresti. Në bankën e të pandehurve janë të ulur edhe Plaurent Dervishaj, Indrit Taullari, Endrit Dokle , Dritan Coli , Sardian Sulejmani , Kujtim Buna, Altin Olloni , Elvin Hoxhosmani , Alban Neli , Selman Heti , Spartak Kalthi , Altin Nikolla , Kristian Bregu, Ahmet Ajeti , Osman Korpuzi. Sipas prokurorisë nga viti 1998 deri në vitin 2002 Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj, Indrit Taullaj, Adriatik Coli, Endrit Dokle, Bujar Gashi, si dhe Klodian Saliu, Ilir Xhunga, Arben Paja, që janë vrarë kohë më parë, kane qenë anëtarë të një organizate të vetme kriminale.
(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›