Pukë, 3 komuna pa energji prej 72 orësh
PUKE- Plot 13 fshatra të rrethit të Pukës prej tre ditësh vuajnë mungesën e energjisë elektrike. Shkak është bërë moti i keq dhe me shira të rrëmbyeshëm e borë që ka përfshirë këto ditë vendet malore. Burime nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes bëjnë të ditur se dëmtimi i linjës së tensionit të lartë në Fierzë bëri që 3 komunat e rrethit të Pukës, ku përfshihen 13 fshatra të vuajnë nga mungesa e energjisë. Kështu komuna e Fierzës, komuna e Iballës dhe komuna Blerim e rrethit të Pukës prej 72 orësh janë pa energji elektrike. Sipas banorëve dhe kreut të komunës së Fierzës shkak i mungesës së gjatë të energjisë është bërë neglizhenca për të riparuar defektin në Fierzë pas shirave të shumtë. Kreu i komunës së Fierzës, Nik Nikaj reagoi nje ditë më parë duke e quajtur absurde mungesën e ndërhyrjes nga drejtoria e hidrocentralit të Fierzës. Për këtë cështje Nikaj pohoi se ka njoftuar edhe kryeministrin Berisha, nga i cili pret përgjigje për zgjidhjen e situatës.
(s.g/BalkanWeb)