Gjirokastër, ngujohen banorët e pallatit të shembur
GJIROKASTER- Kryefamiljarë të familjeve që mbetën të pastrehë pas shembjes së pallatit në lagjen “11 Janari” në qytetin e Gjirokastrës hynë sot në grevë urie. Një garazh makine i pashembur është përzgjedhur nga banorët si vendi ku 12 kryefamiljarë kanë vendosur të ngujohen si i vetmi mjet për të plotësuar kërkesat e tyre ekonomike.
Banorët thonë se po sorollaten nga bashkia dhe prefektura për të marrë pagesën e qerasë mujore që iu është premtuar si dhe pagesën ditore për ushqimet por deri tani nuk kanë marrë asnjë lekë.
“Ditën e tragjedisë erdhi Presidenti erdhi kryeministri vetëm sa për shoë dhe nuk na zgjidhën asnjë problem. As nga pushteti lokal dhe as ai qendror nuk po shohim asnjë gjë konkrete”- tha një banor.
“Presidenti të mbajë fjalën e dhënë menjëherë pas tragjedisë. Të na kompenosen dëmet si dhe të dënohen shkaktarët e shembjes”- thotë për mikrofonin e tv NEWS 24 një tjetër banor.
Më 9 nëntor të këtij viti pallati i ngritur në një kodër në lagjen “11 janari” u shemb pjesërisht për shkak të punimeve që po ndërtoheshin në një pallat tjetër poshtë kodrës nga firma e ndërtimit “Arti shpk”. Tre persona gjetën vdekjen nën rrënoja, mbi 10 persona u plagosën, si dhe u arrestuan 12 persona si përgjegjës të kësaj tragjedie.
Policia ndërtimore mori vendimin e shembjes së pjesës tjetër të mbetur nga pallati duke i lënë 13 familje në qiell të hapur. Aktualisht disa nga familjet janë strehuar në motel, dhe shteti nuk ka dhënë ende asnjë përgjigje se cfarë do të ndodhë më pas me ta.
(s.g/NEWS24/ BalkanWeb)