E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet grupi i shpërndarjes së heroinës

ELBASAN/ Policia ka vënë në pranga katër persona që ishin banorë të Tiranës, Fierit dhe Elbasanit

Të arrestuarit po lëviznin me një automjet me targa të Vlorës, teksa kanë diktuar agjentët e antidrogës


ELBASAN - Katër shtetas u kapën në një automjet me targa të Vlorës me një sasi të konsiderueshme lënde narkotike në qendër të qytetit të Elbasanit. Automjeti me të cilën ata tentuan të largohen u përplas në shkallët e bulevardit, ndërsa po mbyllej operacioni i policisë. Burime nga blutë konfirmojnë se janë sekuestruar 225 gramë lëndë e dyshuar si heroinë dhe disa celularë.


Katër shtetas me banim në Fier, Elbasan dhe Tiranë u kapën gjatë një operacioni, ndërsa automjeti me të cilin ata po udhëtonin u përplas me shkallët e bulevardit kryesor të Elbasanit kur po ndiqeshin nga policia në afërsi të lulishtes "Aqif Pasha". Ngjarja ndodhi në orët e para të mbrëmjes së të martës.


Burime nga policia bëjnë të ditur se autorët ndodheshin në një lokal kur u pikasën nga agjentët antidrogë. Gjatë tentativës së largimit automjeti me targë VL 5070 C është përplasur dhe në këtë çast ata janë arrestuar në flagrancë ndërsa kishin zgjedhur rrugën më të mundshme për t'u larguar.


Sipas të dhënave të para, nga kontrolli i ushtruar në automjet u gjet një sasi 225 gramësh lënde narkotike, e cila dyshohet si heroinë. Policia po punon për të zbuluar origjinën e drogës dhe rrjetin e shpërndarjes së saj.


Në pranga përfunduan Bekim Dashi, 20 vjeç, me banim në Dërmenas të Fierit, A.T., 16 vjeç, me banim në Fier, 15-vjeçarja me banim në Tiranë, E.P., si dhe 20-vjeçari E.L. me banim në Elbasan. Ndërkohë po bashkëpunohet me komisariatet në Vlorë dhe në Fier për të zbardhur rrjetin e shpërndarjes dhe qarkullimit të drogës.


Sipas të dhënave të policisë, katër të arrestuarit kishin ndaluar në Elbasan ku prisnin të gjenin edhe blerësin e drogës, por kanë kuptuar disa lëvizje të dyshimta jashtë lokalit ku rrinin dhe kanë bërë përpjekje për t'u larguar. Menjëherë pas kësaj tentative ata janë arrestuar.


Ndërkohë janë vënë nën kontroll banesat respektive në vendet ku banojnë. Një prej djemve të arrestuar që tentoi t'i shpëtonte policisë është nga Elbasani dhe mendohet se ishte edhe blerësi i mallit. Gjithsesi përfundimi i pocedurave nga antidroga do të zbardhë edhe këtë rrjet. Aktualisht 4 personat akuzohen për "shpërndarje të lëndëve narkotike".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›