E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kapet kreu i bandës “Los Choneros” të Ekuadorit, do ekstradohet në SHBA për trafik droge dhe armësh

Kreu i bandës “Los Choneros” të Ekuadorit është kapur sërish pas gati 18 muajsh në arrati. Jose Adolfo Macias, i njohur ndryshe si ‘Fito’, do të ekstradohet në SHBA pasi akuzohet për trafik droge dhe kontrabandë armësh.

“Fito”, u arratis nga burgu i Guayaquil në janar të vitit 2024, ku po vuante një dënim me 34 vjet burg për trafik droge dhe vrasje.

“Pas kapjes së tij, Macias tani do të ekstradohet në SHBA, ku ai u padit nga një gjykatë federale për akuza që lidhen me trafikun e drogës dhe kontrabandën e armëve të zjarrit”, shkroi presidenti Noboa në platformën sociale ‘X’ të mërkurën.

Noboa kishte ofruar më parë 1 milion dollarë për ndihmë në kapjen e Macias dhe kishte dërguar mijëra oficerë policie dhe anëtarë të forcave të armatosura për ta gjetur atë.

Macias thuhet se u arratis përpara transferimit të tij në një burg të sigurisë maksimale, por autoritetet ende nuk kanë shpjeguar se si ia doli mbanë.

Arratisja e tij “shkaktoi trazira, bombardime, rrëmbime, vrasjen e një prokurori të shquar dhe një sulm të armatosur në një rrjet televiziv gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë”, sipas qeverisë së Shteteve të Bashkuara, duke bërë që Noboa të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme 60-ditore në të gjithë Ekuadorin.

Ndërkaq, Departamenti Amerikan i Thesarit sanksionoi veçmas si Macias ashtu edhe “Los Choneros” në shkurt të vitit 2024 për trafik droge dhe nxitje dhune në të gjithë Ekuadorin.

Ekuadori dikur ishte një nga vendet më paqësore të Amerikës Latine, por afërsia e tij me Perunë dhe Kolumbinë – prodhuesit kryesorë të kokainës në botë – e ka bërë atë një objektiv kryesor për grupet kriminale që eksportojnë drogë jashtë vendit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›