Kapet me 1 kg drogë, vihet në pranga 23 vjeçari në Tiranë

Policia e Tiranës ka vendosur në pranga një 23-vjeçar pasi është kapur me 1 kg e 54 gramë lëndë narkotike kanabis në trajtë xhelatine, me vlerë rreth 10 mijë euro.
Sipas policisë, lënda narkotike dyshohet se është trafikuar nga Kanadaja.
“Në vijim të punës intensive për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Seksionin e Narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për një shtetas që posedonte lëndë narkotike, kanë organizuar punën për kapjen e tij. Si rezultat i veprimeve profesionale, u kap në rrugën “5 Maji” dhe u vu në pranga shtetasi: -D. C., 23 vjeç, banues në Dibër”, thuhet në njoftimin e policisë.
Uniformat blu bëjnë të ditur se gjatë kontrollit fizik ndaj “këtij shtetasi dhe kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur 1 kilogramë e 54 gramë lëndë narkotike kanabis në trajtë xhelatine, me vlerë rreth 10 000 euro dhe nga hetimet dyshohet se lënda narkotike është trafikuar nga Kanadaja”.
Ndërkaq, hetimet vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/