Kapet me armë zjarri në rrethrrotullimin e Rinasit, arrestohet i riu nga Lezha

Një 31-vjeçar nga Lezha është arrestuar nga Policia në kuadër të operacionit të koduar “Black 2”, pasi u kap duke qarkulluar i armatosur në zonën e rrethrrotullimit të Rinasit.
Sipas Policisë, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, kishin siguruar informacione operative se një shtetas po lëvizte i armatosur.
Pas lokalizimit të automjetit në rrethrrotullimin e Rinasit, efektivët ndërhynë duke arrestuar në flagrancë shtetasin Ted Marku, 31 vjeç, banues në Lezhë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me të cilin ai po qarkullonte, policia gjeti në një çantë dore një armë zjarri pistoletë, së bashku me një krehër me municion luftarak.
Arma e zjarrit dhe municioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndërsa ndaj 31-vjeçarit rëndon akuza për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe e municionit”.