Kapet në Tiranë anëtari i grupit të Dajtit
Elvis Karoli është ndaluar të premten në mbrëmje nga policia e kryeqytetit në banesën e tij
Blutë i sekuestruan të arrestuarit municione, detonatorë, lëndë plasëse si dhe dylbi për armë snajperash
Arrestohet në Tiranë, miku i Dritan Dajtit, Elvis Karoli, policia i gjen në banesë dylbi snajperësh, detonatorë për shpërthim dhe aktivizim të lëndëve shpërthyese si dhe një sasi të konsiderueshme tritoli.
Arrestimi i tij është bërë i ditur nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, të cilët menjëherë pas ngjarjes së djeshme, kanë kryer një sërë kontrollesh në banesat e të njohurve, miqve dhe të afërmëve të Dritan Dajtit.
Burime të Drejtorisë së Policisë së Tiranës pohuan dje se kontrolli në banesën e Karolit, në afërsi të hkollës së mesme "Petro Nini Luarasi", ku mësohet se banonte bashkë me familjen e tij 21- vjeçari Karoli, është kryer për shkak se 21- vjeçari njihej si lidhje shoqërore e Dritan Dajtit nga policia.
Për këtë shkak në banesën e tij, kanë mbërritur edhe efektivët e Drejtorisë së Policisë Tiranës, për të kryer një kontroll të imët. Nga kontrolli i kryer policia mësohet se ka gjetur municione të llojeve të ndryshme si fishekë pistolete, shtatë copë të tillë, detonator eksplozivi luftarak 1 copë, aparatura të cilat dyshohen se shërbejnë për plasjen e eksplozivit si dhe dy palë dylbi për armë snajpera.
Të gjitha këto sende i janë bllokuar 21- vjeçarit, në banesë ndërsa ai është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës për t'u pyetur prej oficerëve të zyrës së hetimit të vrasjeve. Specialistët e hetimit janë interesuar rreth lidhjeve të të arrestuarit me Dritan Dajtin si dhe për se mbante materialet e mësipërme në banesë.
Karoli, nuk ka pranuar të përgjigjet dhe të flasë për hetuesit lidhur me kërkesat e tyre, për lidhjet me Dritan Dajtin dhe mbajtjen e materialeve të kundraligjshme në apartamentin e tij.
Pas procedurave rutinë të administrimit të materialeve të mësipërme, hetuesit kanë dërguar për ekspertim në Laboratorin Kriminalistik të Policisë së Shtetit materialet e gjetura në apartamentin e Elvis Karolit.
Ndërkaq këtij të fundit policia i ka komunikuar masën e arrestit në flagrancë me akuzën e mbajtjes pa leje të municioneve luftarake dhe lëndëve plasëse, elementëve për aktivizimin e lëndëve plasëse si dhe mbajtjen e sendeve të ndaluara, për dylbitë e snajperave të gjetur në banesën e tij.
Gjatë të premtes në mbrëmje, policia e Tiranës ka kryer edhe 24 kontrolle të tjera banesash tek të njohur të tjerë apo të afërm të Dritan Dajtit për të zbuluar elementë që për hetuesit mund të kishin interes.
Babai i Dizdarit: kurrë nuk e dija ç' punë bënte im bir
TIRANE- Babai i Altin Dizdarit, Idrizi, e ka të vështirë të tregojë se si ka mësuar ngjarjen e djeshme ku i biri ndërroi jetë bashkë me tre shokë të tij, në operacionin në të cilin duhej të arrestonin Dritan Dajtin dhe ndihmësit e tij në plazhin e Durrësit.
E megjithatë ai burri i moshuar arrin ta mbajë dhimbjen dhe pranon të ndajë me dashamirësit dhimbjen për humbjen e të birit. "Dje (pardje) si çdo ditë, ai u nis për në punë, por kurrë nuk e kam ditur se çfarë pune bënte.
Më kishte kërkuar në fillim kur kishte nisur punë që të mos e pyesja se çfarë bënte. Kështu bëra deri dje,- pohon burri i thinjur. Më tej ai shton se dje pasdite rreth orës 15:00, sapo ishte shtruar buka në tavolinë dhe ai ishte me të shoqen. "Erdhi gruaja e vëllait tim dhe ajo më tha nuk i keni parë lajmet ?? - Jo iu përgjigja unë duke ngritur supet.
Hapëm televizorin dhe pamë se në Durrës ishin vrarë disa policë. Ndërsa flitej dëgjova që ishte lajmëruar dhe një kushëri i Altinit, por nuk e kuptova pse. Më shkoi mendja menjëherë që diçka duhej të kishte ngjarë. Më vonë në televiozione të ndryshme nisën të dalin emrat e tyre dhe s' munda ta përmbaja veten dhe nisa të qaja.
I binim telefonit të tij po nuk e hapte askush- tregon Idrizi që duket se nuk do t'i shqiten kurrë nga mendja kujtimet e ditës së kaluar. Më tej ai shton se djali i tij më i madh, Arbeni, ishte nisur në drejtim të Durrësit ndërsa kur po kthehej e kishte marrë në telefon për ta pyetur. "Si është i thashë a po vjen Altini ??
Do vijë më pas tha ai dhe kushëriri i Altinit që ishte me Arbenin sepse ishte plagosur pak por se s'kishte probleme. Nuk iu besova atyre që po thoshin. Por kur erdhën në Tiranë, më treguan të vërtetën, që kisha nisur ta mendoja,- tregon Idrizi.
Babai i Altin Dizdarit, edhe pse ka humbur të birin refuzon të komentojë apo të japë një mendim të tijin për ngjarjen e të premtes, ndërsa pohon se informacionin për këtë ngjarje e ka të pakët e ndaj nuk mundet të japë një qëndrim të tij për këtë ngjarje.
Babai i Dajtit: Policia u nis për të vrarë tim bir
Hasan Dajti, babai i të arrestuarit Dritan Dajti ka hedhur akuza ndaj strukturave dhe drejtuesve të Policisë së Shtetit, për operacionin e të premtes, kur katër efektivë blu mbetën të plagosur, ndërsa u vra shoqëruesi i tij, Ledion Mara.
Dajti, ka pohuar se punonjësit e policisë kanë shkuar për të arrestuar të birin në mënyrë private dhe jo në mënyrë ligjore për ta arrestuar atë. Madje Hasan Dajti, ka pohuar se operacioni është organizuar dhe ndërtuar në një mënyrë të tillë për të vrarë dhe për të ekzekutuar të birin.
Babai i njeriut që policia e ka cilësuar si një ndër më të rrezikshmit në vend, ka pohuar për gazetën "Shekulli", se veprimet e policisë në një ambient me një dendësi të lartë njerëzish në një zonë me plazhistë dhe në një orar të tillë ka qenë krejtësisht e papërshtatshme.
Sipas tij ky është një fakt që tregon se Policia e Shtetit është nisur për të vrarë Dritanin dhe jo për ta arrestuar dhe për ta vënë përpara drejtësisë për pretendimet që kanë për të. "Pavarësisht kësaj, më vjen keq për jetët e atyre njerëzve që humbën sepse nëse ata do të kishin shkuar në rrugë ligjore siç veprohet gjithmonë do të ishin kursyer katër jetë njerëzish".
Prençi, aksioni nuk u dekonspirua
Kreu i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, në një intervistë të dhënë për Televizionin publik Shqiptar mbrëmjen e djeshme ka hedhur poshtë dyshimet që sipas tij aksioni i të premtes ka qenë i dekonspiruar. Ndërsa ka shtuar se strukturat e policisë do të vinin përpara përgjegjësisë të gjithë grupin e tij kriminal dhe lidhjet e tij.
Si mund ta komentoni këtë ngjarje të rëndë dhe që pati këtë bilanc kaq tragjik?
Kjo është ngjarja më e rëndë që ka ndodhur në radhët e policisë së shtetit. Katër kolegët tanë janë ndarë nga jeta, nga dora kriminale, dje.
Eshtë një dhimbje mjaft e thellë dhe unë gjej rastin t'iu shpreh ngushëllimet familjeve të tyre dhe kolegëve të mi. Dhe dora kriminale që i vrau në kryerjen e detyrës do të vendoset përpara drejtësisë me të gjithë lidhjet e tij, të gjithë grupit kriminal që ai drejtonte.
Padyshim që policia e shtetit ka paguar shtrenjtë me jetët e policëve të vrarë por ky besoj se është një motivim për të gjithë punonjësit e policisë për të vazhduar misionin për të cilin ky institucion ekziston.
Gjej rastin gjithashtu që të përshëndes të gjithë klasën politike, trupin diplomatik, të gjithë kolegët e policive homologe që morën pjesë ne ceremoni dhe që ishin të pranishëm aty. Katër martirët e rënë ishin punonjës policie jashtëzakonisht të devotshëm, trupa e operacioneve speciale në drejtorinë e përgjithshme është trupa më e mirë që ne kemi.
Është një trupë e specializuar nga partnerët ndërkombëtarë prej vitesh dhe një trupë që ka dhënë rezultate të jashtëzakonshme, që ka finalizuar me sukses të plotë me qindra e dhjetëra operacione. Ka përballur me sukses dhe operacione me homologët ndërkombëtarë kështuqë ka qenë dhe është pa dyshim krenaria e Policisë së Shtetit.
Mediat kanë folur në lidhje me një dekonspirim të mundshëm të operacionit të djeshëm të policisë. Cili është komenti juaj?
Do të desha që askush të mos vraponte për të dhënë konkluzione imagjinare. Është filluar një hetim nga prokuroria e përgjithshme, prokuroria e krimeve të rënda. Jemi të gatshëm të vëmë në dispozicion të gjithë kapacitetet që kemi për hetimin e plotë dhe të shpejtë të kësaj ngjarjeje.
Ky është një operacion policor i parapërgatitur dhe është rasti i vetëm që nuk kishte dekonspirim për kapjen arrestimin e Dritan Dajtit. Ndonëse dora kriminale ishte përgatitur për të vrarë punonjësit e policisë, ne ishim përgatitur për ta arrestuar atë, dhe jo për ta vrarë. si çdo kriminel tjetër. Sepse ne kemi si bazë ligjin dhe jo anti-ligjin. Kështuqë çdo aludim i ngritur në lidhje me këtë pistë absolutisht bie poshtë.
Si është situata e krimit në Shqipëri dhe qytetarët mbase duan të dinë se sa e aftë është policia për t'iu përgjigjur dorës së krimit?
Ne kemi katër kolegë më pak në radhët e policisë, na kanë ikur katër kolegë shumë të mirë por kjo do të shërbejë si një motivim i jashtëzakonshëm për ne, për ta përballuar me sukses këtë dhimbje dhe për t'u mobilizuar si asnjëherë tjetër, për të luftuar pa kompromis krimin e organizuar dhe çdo lloj krimineli që tenton të ngrejë dorën drejt shtetit, policisë dhe rendit publik.