Përshtypjet e pushuesve në plazh, një ditë pas masakrës
Në zonën ku ka ndodhur vrasja e katër efektivëve të forcave speciale të Policisë së Shtetit, një ditë më pas ka pasur qetësi të trishtë. Kudo nën çadra dhe në lokalet përreth, bisedat rreth vrasjes së 4 oficerëve të policisë kanë qenë tema më e nxehtë, që është shoqëruar edhe me debate të shumta, pasi shumë njerëz për këtë vrasje fajësojnë shtetin që "nuk di të mbrojë as njerëzit e vet".
Një punonjës policie, me pushime në afërsi të vendngjarjes (po kalon riaftësim shëndetësor pas një sëmundjeje), na thotë se kur vriten "oficerët madhorë të shtetit kaq lehtësisht, ne të peshave pupël na ka marrë me kohë lumi". Kur e pyesim se a ishte e domosdoshme kjo ndërhyrje në këto rrethana, ai thotë se "kjo ka qenë një çmenduri që edhe një shtet afrikan s'do ta bënte me policët e vet".
Ai është i revoltuar, pasi ka pasur njohje me disa prej tyre. Madje kur i flet për Fatos Xhanin, sytë i përskuqen dhe hesht plot dhimbje...
Në orët e pasdites, afrohemi drejt vendit ku ka banuar, siç thonë disa pushues, Dritan Dajti dhe pyesim se a ka pasur njeri që e kishte fiksuar më parë fytyrën e tij. Në afërsi të vendbanimit sikur kanë frikë të flasin dhe në klubet ku thuhet se i ka frekuentuar, kamerierët ngrenë supet dhe nuk përgjigjen fare. Kujtojnë se mos jemi të policisë dhe kjo i frikëson.
Mund të kërkohen për t'u pyetur, gjë që s'duket shumë komode për ta.
Megjithëkëtë, sa më larg periferisë së vendit të incidentit aq edhe më të shkujdesur duken pushuesit. Paraditja ka qenë me shumë pushues, dhe pjesa më e madhe mundohen të tregohen indiferentë ndaj ngjarjes.
Por, krahas kësaj kategorie, nuk mungojnë edhe dhjetëra persona të tjerë, të cilët ndjehen të pasigurt, si dhe mjaft të frikësuar nga ajo çka ndodhi një ditë më parë vetëm pak metra larg tyre.
Disa pushues thanë se, disa familje kosovare, që kanë qenë në orën e shkembimit të zjarrit së bashku me fëmijet e tyre në rërë dhe kanë parë një prej pjesëtarëve të përleshjes që ka zbritur me armë zjarri, pistoletë, nëpër çadra, kanë marrë rrugën e kthimit. Pushuesit thonë se mund të jenë rreth 10- 15 familje të tilla. Gjaku i derdhur në mes të sheshit u ka kujtuar mbase vrasjet e paradovitshme në Kosovë.
Qindra pushues, si dhe banorë të plazhit të Durrësit, e konsiderojnë ngjarje tepër të rëndë, duke u dërguar ngushëllimet më të përzemërta familjeve të viktimave. Ka edhe nga ata që thonë se "Dajti paskësh qenë trim dhe se mund te krahasohet vetëm me Xhevdet Mustafen". Është një opinion në minorancë, sepse shumica janë solidarë me viktimat. Por thuajse të gjithë bëjnë fajtor shtetin.
"Nuk mjafton që ata të bëhen dëshmorë, pasi kanë zbatuar trimërisht një detyrë të gabuar në detaje, - thotë një bashkëbisedues në grupin që mbledhim rreth vetes, - të nxirret se kush i ka shitur shokët e vet". Një tjetër e nderpret dhe i thotë se mbase "këto nuk janë shitur, por dikujt i ka shërbyer kjo vrasje, mbase për arsye politike".
Njerëzit mendojnë gjithçka, madje ka nga ata që thonë se "kanë dashur që të eliminohet në rrugë dhe e kanë njoftuar që të përplasen me armë dhe ta vrasin..."
Njëri kthen krikllen e birres dhe thotë se ka filluar hetimi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, se a mund te ketë pasur informator brenda grupit të specialeve që ka tradhtuar shokët.
Një tjetër i kundërpërgjigjet se kjo prokurori nuk e ka gjetur që kur është arratisur se kush e ka ndihmuar dhe ti ia fut pallavrave se do bëhet gjë. E gjithe kjo bisedë bëhet në një lokal të shtresave të mesme.
Një ish-oficer i dalë në lirim në reformat e fundit, thotë se për këtë vrasje janë fajtore instancat eprore, pasi askush nuk guxon që të ndërmarrë nisma personale jashtë programit të eprorit, aq më pak një nismë kundër një personi të kthyer në legjende, si Hamit Matjani dikur.
Dajtit, pasi i qe zbuluar vendstrehimi, mund të arrestohej edhe në rrethana të tjera, pa rrezikuar jetë.
Policia e Durrësit, asnjë dijeni për operacionin: "Kujtuam se ishin grabitës me maska"
Pas vrasjes së katër punonjësve të Policisë së Shtetit, janë shoqëruar në polici për të dëshmuar me dhjetëra dëshmitarë okularë, të cilët janë porositur që për problemet që u pyetën, të ruajnë sekretin hetimor dhe të mos flasin, por njerëzit madje kanë folur edhe në media se çfarë kanë parë.
Detaje të hollësishme mbi aktivitetin e të shumëkërkuarit mendohet të kenë dhënë dy shitës ambulantë, të cilët qëndronin para objektit ku strehohej i shumëkërkuari Dajti, si dhe roja e objektit.
Krahas informacioneve të pakta të bëra publike nga policia e qytetit bregdetar, për shkak të hetimeve, ajo çka mbetet ende e paqartë dhe pa një përgjigje konkrete, është se pse Drejtoria e Policisë së Durrësit nuk kishte njoftim mbi operacionin, i cili do të zhvillohej në një territor që është nën juridiksionin e kësaj të fundit dhe pse nuk u lejuan të bëheshin pjesë e aksionit policor, në një kohë që zona ishte mjaft e njohur për to, apo pse u zgjodh mesdita, si dhe një zonë mjaft e populluar nga civilë.
Dy punonjës policie që ndodheshin në zonën e plazhit, njëri prej tyre madje fare afër vendit të ngjarjes, tha se kjo ka qenë rrezik të shkaktonte një përplasje mes segmenteve të policive, pasi nuk dinin asgjë dhe se njerëzit, pasi janë shkëmbyer pushkët e para, kanë telefonuar se po dalin banda me maska për të grabitur në mes të rrugës.
Ata, me banditë kishin ngatërruar specialet që ishin me rroba civile dhe që kishin maska të zeza".