E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet skafisti i tragjedisë së 9 janarit

Arrestohet nga Policia italiane në qytetin e Romës skafisti i tragjedisë së 9 janarit 2004. Mediat italiane bënë të ditur dje arrestimin e shtetasit Altin Belulaj, i cili ishte dënuar në Shqipëri me 20 vjet burg në mungesë për shkak të arratisjes. Belulaj është akuzuar si një nga organizatorët e udhëtimit të vdekjes për 21 persona që humbën jetën pas mbytjes së gomones me të cilën ata ishin nisur nga Vlora në drejtim të Italisë. Karabinierët e Policisë së Romës kanë arrestuar dje 31-vjeçarin e akuzuar për organizimin e tragjedisë në vitin 2004. Në momentin e arrestimit ditën e djeshme, i kërkuari mbante me vete dokumente false, mirëpo verifikimi i gjurmëve të gishtave zbuloi identitetin e tij të vërtetë. Personat e dënuar për tragjedinë e 9 janarit 2004, janë: Nazmi Hykaj, me 25 vjet burg; Cukal Delija, 25 vjet burg; Zef Marku, 25 vjet burg, Elton Tafili, 20 vjet burg, Altin Belulaj, 20 vjet. Skafisti i tragjedisë së 9 janarit 2004 mësohet se dje gjatë arrestimit ka qenë i shoqëruar nga një tjetër shqiptar 42 vjeç. Gjykata e Vlorës e ka dënuar Belulajn me akuzën e dhënies ndihmë në kalim të paligjshëm të kufirit me pasojë vdekjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›