Vjedhja në Gjykatë, ikën kancelari, hetim kryetares

Etleva Deda
Tri ditë pas inspektimit të zhvilluar ditën e martë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, Ministria e Drejtësisë ka propozuar masat e para ndëshkimore për një nga skandalet më të rënda të ndodhura në institucionet e Drejtësisë shqiptare vitet e fundit. Ministria i është drejtuar me një kërkesë zyrtare KLD-së për nisjen e procedimit disiplinor ndaj kryetares së komanduar të Gjykatës, Etleva Deda. Kërkesa drejtuar KLD-së është mbështetur në faktet e grumbulluara gjatë inspektimit në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku janë ndeshur mangësi të dukshme në drejtimin dhe administrimin e institucionit. Por, Ministria e Drejtësisë nuk është mjaftuar me kaq. Me vendim të ministrit Eduard Halimi është shkarkuar dje nga detyra kancelari i Gjykatës, Rozario Rica. Edhe argumenti i përdorur në shkarkimin e kancelarit të Gjykatës ka qenë i njëjtë me argumentimin e procedimit që është kërkuar për kryetaren e Gjykatës, mangësi të theksuara në përmbushjen e detyrës dhe administrimin e institucionit. Në mbledhjen më të afërt të KLD-së pritet të merret në shqyrtim kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë për hapjen e procedurave ndëshkuese për kryetaren e Gjykatës së Krimeve të Rënda, Etleva Deda. Ishte ajo që të martën njoftoi vjedhjen në dhomën e provave, pak orë pasi familjarët e A. Velikos u paraqitën për të tërhequr paratë që u ktheheshin me vendim gjyqësor. Ndonëse shuma duhej të gjendej në dhomën e provave, siç ishte sekuestruar në momentin e arrestimit, zarfi u gjet i hapur dhe paratë mungonin. Kryetarja e Gjykatës së Krimeve të Rënda, një ditë pas ngjarjes, nuk ngurroi të lëshonte akuza ndaj stafit duke deklaruar se vjedhja ishte kryer nga njerëz të brendshëm. Mirëpo dje ekspertiza e gjurmëve të gishtave që janë gjetur në vendin e ngjarjes ka përfunduar dhe ka dalë negative. Shenjat e gjetura në zarf janë krahasuar me gjurmët e gishtave që i janë marrë stafit të Gjykatës, por ballafaqimi ka dalë negativ. Dyshimet e hetuesve të Prokurorisë së Tiranës dhe Komisariatit Nr. 3 janë se vjedhja ka ndodhur kohë më parë dhe se objekt i saj mund të kenë qenë edhe objekte të tjera veç shumës monetare që mungon. Paratë e vjedhura i përkisnin një personi të ndaluar në vitin 2009 së bashku me një prokuror që u akuzua dhe doli i pafajshëm për korrupsion. re.kr